Maqedoni

Kriza politike në Maqedoni rrezikon rekomandimin për negociata me BE-në

24.03.2015 17:08

Si pasojë e krizës politike në vend, Komisioni Evropian ndërpret dialogun aderues të nivelit të lartë me Maqedoninë...

Si pasojë e krizës politike në vend, Komisioni Evropian ndërpret dialogun aderues të nivelit të lartë me Maqedoninë, ndërsa po shqyrton edhe anulimin e rekomandimit për fillimin e negociatave për anëtarësim.
 
Lajmin e bëri të ditur Rrjeti i Gazetarisë Hulumtuese, BIRN, duke iu referuar burimeve nga delegacioni i BE-së në Shkup.
 
Pasi ndërkombëtarët në vazhdimësi kanë alarmuar për t’u zgjidhur ngërçi politik, tanimë Brukseli po shqyrton faktin se a i përmbush Maqedonia si shtet kriteret e Kopenhagës, rregulla të cilat përcaktojnë afrimin e një shteti pranë BE-së.
 
Në kuadër të kësaj, europarlamentarët në debatin për kontroll demokratik në korniza të kulturës politike dhe dialog në shoqëri, ku po marrin pjesë edhe deputetë nga Maqedonia, u apeluan partive politike që të gjejnë një zgjidhje nga kriza aktuale. 
 
“Nuk dua të ndërhyj në debatet në Maqedoni. Qëllimi është të gjendet zgjidhje. Maqedonisë i duhet një zgjidhje dhe këtë mund ta gjejnë vetëm partitë politike. Mos i ikni obligimit për të rënë dakord, mos refuzoni ide. Duhet të bini dakord në lidhje me disa prioritete, të cilat janë prioritete të shtetit e jo të partive politike”- deklaroi europarlamentari nga Sllovenia, Ivo Vajgëll.
 
Ndërsa europarlamentarja kroate, Marijana Petir, ka thënë se Maqedonia vetë ka shprehur dëshirën për t’iu bashkangjitur BE-së dhe se çdo krizë e brendshme në një shtet sovran duhet të jetë sfidë që punët të rikthehen në vendin e vet dhe se ato sfida duhet të funksionojnë në një sistem demokratik. 
 
BESA JASHARI