Transformimi digjital i kompanive, Aliu: Transformimi duhet të jetë gjithëpërfshirëse
Në mesin e komunitetit të biznesit....

Në mesin e komunitetit të biznesit në vend gjithnjë e më shumë flitet për transformimin digjital të kompanive të vogla dhe të mesme, proces ky i cili sjell përparësi të shumta sa i përket rritjes së efikasitetit, kursimit të shpenzimeve dhe njëkohësisht rritja e të ardhurave të kompanive.
Në këtë sfidë globale para së cilës ndodhen kompanitë, përfaqësuesit e Konfederatës së Biznesit në vend konsiderojnë se kompanitë e vogla dhe të mesme ngecin me zbatimin e saj përballë kompanive të mëdha, të cilat disa prej tyre veç më kanë filluar transformimin digjital.
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Azir Aliu, thotë se transformimi digjital duhet bërë me kujdes dhe me ndihmën e të gjithë faktorëve relevant në vend.
“Po unë edhe më herët përmenda se ekzistojnë rreziqe prej zbatimit të transformimit digjital në vend nëse ajo nuk është gjithëpërfshirëse. E gjithëpërfshirëse do të jetë kur do t’i kemi parasysh të gjitha aktorët relevant, pra kur do të kemi sektorin e biznesit, qytetarët dhe institucionet në vend, ku ata do të jenë pjesë e transformimit digjital. Nëse në këtë drejtim ne nuk jemi të kujdesshëm, atëherë kjo do të thotë se do të mund të krijojmë boshllëk mes aktorëve të ndryshëm në botën e transformimit digjital dhe kjo është shumë e rrezikshme për shtetin dhe institucionet. Për këtë arsye, ne jemi këtu që të mbështesim kompanitë e vogla dhe të mesme edhe në aspekt të krijimit të politikave, ku në bazë të kësaj, shteti së bashku me sektorin privat do të ndihmojnë në procesin e transformimit digjital, sepse e dini se ky është një proces kompleks që kërkon mund dhe shumë punë, si në aspektin e konsolidimit të faktorit të njeriut, infrastrukturës dhe trajnimeve.”, - deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratë, Azir Aliu.
Në analizën e fundit të Konfederatës së Biznesit theksohet se një ndër problemet kryesore për nivelin e ulët të zbatimit të transformimit digjital është për shkak të mungesës së fuqisë punëtore cilësore digjitale, aftësitë menaxhuese, si dhe fryma konservatore të cilat kanë një pjesë të kompanive sa i përket këtij procesi. (Rexhep Qamili, TVM2)
