Zgjedhjet parlamentare në Serbi, Vuçiq: Do të kemi fitore të qartë dhe bindëse

18.12.2023 16:28

Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe numërimit të më shumë se 90% të votave...

Pas përfundimit të zgjedhjeve dhe numërimit të më shumë se 90% të votave, Instituti i Beogradit “Cesid” dhe “Ipsos” publikuan se Partia Progresive Serbe (PPS) mund të marrë 47% të votave apo 128 nga 250 vende në Parlament.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas votimit tha se pret që partia e tij do të ketë një fitore të qartë, të padiskutueshme dhe bindëse, ndërsa ajo që është e rëndësishme mbetet që Serbia të vazhdojë në rrugën e prosperitetit.

“Lista “Serbia nuk duhet të ndalet”  dhe sigurisht që do të ketë më shumë se 127 mandate, pavarësisht nëse do të jenë 128, 129 apo 130 cilido që do të jetë rezultati i këtyre zgjedhjeve. Besoj se lista “Serbia nuk duhet të ndalet” do të ketë një shumicë absolute në Parlamentin e Serbisë.”, - deklaroi kryetari i Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Vuçiq.

Por, rezultati i zgjedhjeve është i turbullt nga akuzat e opozitës. Miroslav Aleksiq, një nga liderët e bllokut opozitar “Serbia kundër dhunës”, ka kërkuar anulimin e zgjedhjeve në Beograd dhe përsëritjen e votimit për Kuvendin Komunal, pasi që, sipas tij më shumë se 40,000 persona pa vendbanim të ligjshëm u sollën në Beograd në mënyrë të organizuar për të mbështetur listën e PPS-së.

“Ishim dëshmitarë të keqpërdorimit të paimagjinueshëm të votuesve. Ajo që ndodhi gjatë fushatës dhe më herët, presione ndaj votuesve dhe blerje të votave, parregullsitë e njëjta që i shfrytëzonte kjo qeveri. Pamë shumë më shumë, në veçanti në Beograd. I kemi të gjitha të dhënat për ta dëshmuar këtë dhe ne do t’i bëjmë publike të dhënat.”, - theksoi lideri i opozitës, Miroslav Aleksiq.

Edhe Qendra e Pavarur për Hulumtim, Transparencë dhe Llogaridhënie, CRTA, bëri të ditur se kanë parë të dhëna që tregojnë se votuesit janë sjellë nga Bosnja e Hercegovina dhe ish-republika të tjera jugosllave për të votuar në zgjedhjet në Serbi. Presidenti serb, Vuçiq, vendosi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare 17 muaj pas zgjedhjeve të fundit. (Leunora Kaliqi, TVM2)