Maqedoni
Analizë: 60% mbështesin integrimin e vendit, Ademi: Të gjithë të angazhohen për integrim në BE
18.12.2023 17:17
Analiza e fundit e Institutit për Demokraci dhe Fondacionit Konrad Adenauer...

Analiza e fundit e Institutit për Demokraci dhe Fondacionit Konrad Adenauer, në lidhje me opinionet publike mbi inkuadrimin e Maqedonisë së Veriut në BE, ka rezultuar se 60% e popullsisë e mbështesin rrugën integruese të vendit. Por kjo është përqindja më e ulët që nga viti 2014. Cili është komenti juaj?
“Fatkeqësisht mbështetja e qytetarëve në procesin eurointegrues po bie, megjithëse është tejet e lartë mbështetja e shqiptarëve si komunitet i rëndësishëm që është diku rreth 80%. Jemi gjatë në këtë proces dhe kjo e bën të vetën që të bie edhe mbështetja e qytetarëve për arritjen e këtij qëllimi strategjik, por në radhë të parë mendoj se fajtorë janë vet partitë politike, të cilët në garën për të përfituar një pikë më tepër politike dhe për të marrë me politikë ditore, kanë dëmtuar edhe mbështetjen e qytetarëve për arritjen e kësaj ideje tejet të rëndësishme për qytetarët tanë. Mendoj se në periudhën vijuese do të duhet të punojmë të gjithë së bashku jo vetëm një apo dy parti politike, por të gjitha edhe ata të cilët deklarativisht së paku angazhohen për anëtarsimin e vendit në Bashkimin Evropian. Të punojmë në drejtim të arritjes së këtij qëllimi, loja ende vazhdon, topi është në anën tonë dhe kjo lojë nuk duhet të përfundojë pa e fituar ne, mendoj këtu në radhë të parë pa i miratuar ndryshimet kushtetuese.”, - deklaroi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.
“U adresuan kritika për keqpërdorim të flamurit evropian, cili është mendimi juaj rreth kësaj?”, - pyeti gazetari.
“Ajo që është theksuar në raportin e Komisionit Evropian me seriozitetin më të madh do të duhet të shqyrtohet nga institucionet relevante, duke filluar nga Qeveria si propozues i vetëm i autorizuar për të propozuar propozim-ligje me flamur evropian. Mendoj se nga mandati i ardhshëm një çështje e tillë do t’i takojë të së kaluarës. Kemi rregullore të re e cila fillon të implementohet nga mandati i ardhshëm dhe në përputhje me rregulloren nuk do të ketë më bllokim të punës së Kuvendit dhe se Qeveria ndonjëherë kur ka pasur dilemë se a do të duhet të përdorë flamurin evropian, me siguri se do të ndjekë procedurën e rregullt, të cilën e parasheh edhe rregullorja e re në Komisionin për Çështje Evropiane. Gjithmonë intenca ka qenë pozitive, në aspekt të harmonizimit të legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian. Ka vërejtje në këtë drejtim dhe ato me seriozitetin më të madh do të adresohen edhe në të ardhmen.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.
GAZMEND KURTISHI
