Maqedoni

Ademi: matematika, obligative vetëm për gjimnazet

24.03.2015 17:28

Nuk shoh arsye për tërheqjen e testimit ekstern, përkundrazi, konsideroj se të gjithë duhet të angazhohen për avancimin e këtij procesi...

Kështu vlerëson ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, sipas të cilit pritet që këtë javë të realizohet takimi me maturantët, që të njëjtëve t’u sqarohet koncepti i maturës shtetërore dhe përparësitë që ofron e njëjta. Ministri Ademi, njëherit sqaroi se matematika do të jetë e obligueshme vetëm për nxënësit e gjimnazeve.
 
“Provimi i matematikës si lëndë vlen vetëm për maturantët që janë nxënës të gjimnazeve dhe nuk vlen për maturantët e shkollave të mesme profesionale dhe shkollës së arteve”- deklaroi ministri i Arsimit,  Abdylaqim Ademi.
 
I pyetur se kur do të tejkalohen problemet në tekstet shkollore, Ademi dha përgjigje se historianët mund të japin kontributin e tyre në tejkalimin e këtyre problemeve, por vetëm me kusht që politika të mos përzihet në përmbajtjen e teksteve shkollore.
 
“Unë jam i gatshëm si ministër që t’i ftojmë të gjithë historianët në përpilimin e një teksti të ri për historinë dhe jam i gatshëm të tërhiqem nga të gjitha kompetencat që kam si ministër për të ndikuar edhe në komision edhe në përmbajtje”- tha Ademi.
 
Ai ftoi që këtë ta bëjnë edhe të gjithë faktorët tjerë politik që të krijohen kushte për të pasur tekste sa më cilësore. 
 
FLUTURA LATIFI