Maqedoni

RMV-ja i dorëzon mandatin e A5-shit Shqipërisë, Osmani: Të vazhdohet me qëllimin integrues

18.12.2023 17:39

Maqedonia e Veriut dorëzon mandatin e udhëheqësisë...

Maqedonia e Veriut dorëzon mandatin e udhëheqësisë me platformën Karta e Adriatikut-ShBA, ndërkaq pranues i menaxhmentit njëvjeçar me këtë iniciativë është Shqipëria. Në mbledhjen e fundit të takimit minisitror në Shkup u diskutua për punën e ardhshme të kësaj karte, për situatën në Ballkanin Perëndimor, si dhe angazhimin për anëtarësimin e plotë të vendeve që kanë rolin e vëzhguesit në të. 
 
“Cilat janë sfidat e radhës? Fuqizimi i mandatit politik të kësaj iniciative.  Dhe e dyta si t’ju ndihmojmë  vendeve që janë në proces anëtarësimi në NATO? Për shembull, Kosova është kandidate për në A5 dhe këtu Maqedonia e Veriut i jep mbështetje të plotë.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
“Do të përpiqemi ta përshtatim Kartën për t’u shërbyer më së miri në forcimin e përgjegjësive të përbashkëta ndaj kërcënimeve dhe sfidave aktuale.”, - theksoi ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani. 
 
Hasani: S’ka strategji tjetër pos BE-së
 
Dy ministrat folën edhe për procesin eurointegrues. Ministri Osmani ritheksoi se pa implementimin e ndryshimeve kushtetuese s’ka prosperim, gjersa diplomati i Shqipërisë, Hasani, bën thirrje për vazhdimin e procesit dhe reformave që kërkohen.
 
“Kërkesat do të jenë vetëm ato që i parasheh korniza negocoiuese dhe asgjë më shumë dhe kjo është mbrojta më e mirë për ne në proces.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Bujar Osmani. 
 
“Kam përshtypjen se rruga drejt BE-së për Shqipërinë dhe vendet e rajonit  është pa NËSE dhe POR, dhe për këtë është detyra jonë që ne të vazhdojmë të thellojmë reformat të cilat janë marrë përsipër.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani.
 
Ballkani Perëndimor ka vetëm një strategji orientuese dhe ajo është integrimi në strukturat euro-integruese, konkluduan dy diplomatët e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU