Botë

Pakistani përdor shiun artificial për të luftuar ndotjen e ajrit

18.12.2023 22:03

Për herë të parë, Pakistani ka përdorur shiun artificial për të zvogëluar nivelet e rrezikshme të ndotjes së ajrit...

Aeroplanët të cilët ndihmojnë në formimin e reve dhe rrisin mundësitë për reshje, kanë fluturuar mbi qytetin Lahore në lindje të Pakistanit, i cili shpesh radhitet si një ndër vendet me ndotjen më të madhe të ajrit në botë.
 
Kryeministri i Punjabit, Mohsin Naqvi, njoftoi se aeroplanët kanë ndikuar të ketë reshje shiu në të paktën 10 zona të Lahores, përcjell Telegrafi.
 
Gjithashtu, ai theksoi se autoritetet po monitorojnë ndikimin e shiut artificial në një rreze prej 15 km.
 
Bëhet e ditur se “dhurata” e shiut artificial u dha nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
 
Problemi i ndotjes së ajrit në Pakistan është përkeqësuar vitet e fundit si rezultat i tymit të naftës, tymit nga djegia sezonale e të mbjellave, dhe temperaturave të ftohta të dimrit.
 
Por, sipas ekspertëve, shiu artificial po rezulton efektiv në uljen e ndotjes së ajrit, dhe largimin e mikrogrimcave kancerogjene PM2.5.