Botë
Mbështetje amerikane për Ballkanin, Douglas: ne do të jemi gjithnjë aty për ju
24.03.2015 17:37
Asistenti i sekretarit të shtetit amerikan për çështjet publike, Franz Douglas...

Asistenti i sekretarit të shtetit amerikan për çështjet publike, Franz Douglas, vlerëson se angazhimi amerikan në Ballkan duhet të vazhdojë edhe krahas angazhimit evropian, veçanërisht kur dihet tashmë se shqiptarët vazhdojnë të mendojnë se janë amerikanët ata që i mbështesin më fort sesa evropianët.
“Ne do jemi gjithnjë aty për ju. Atë u thashë dhe partnerëve evropianë. Mos mendoni se, duke qenë se nuk ka krizë në Ballkan, gjërat shkojnë mirë dhe s’duhet ta kemi mendjen aty. Edhe ne menduam që lufta e ftohtë kishte mbaruar, por u gabuam rëndë. Ne na keni në krahun tuaj. Mund t’ju them se angazhimi ynë vazhdon të mbetet i fortë”- ka deklaruar Douglas në një debat në Bruksel.
Për sa i përket impaktit të situatës së re gjeopolitike me Rusinë dhe ndikimin e modelit të Putinit në Ballkan, Douglas vlerëson se ka vend për shqetësim dhe se Evropa duhet ta marrë seriozisht këtë.
Ne i mbajmë sytë hapur. Ballkani dhe Evropa duhet të shqetësohet për atë që ndodhë në territorin e saj, potencon Douglas.
Kjo mbështetje amerikane vjen në një kohë kur vendet e Ballkanit vlerësojnë se orientimi dhe monitorimi i BE-së po vjen më shumë në fraza të përgjithshme e jo me deklarata të forta e të qarta.
Për të mos humbur kredibilitetin në politikën e jashtme dhe të zgjerimit duhet të ketë një politikë më të drejtpërdrejtë, sidomos ndaj vendeve të Ballkanit, që duket se ende kanë nevojë për ndihmën e BE-së drejt së cilës dëshirojnë të aderohen.
