Botë

Bombardimet izraelite nuk ndalen, sulmohen spitalet dhe kampet e refugjatëve

19.12.2023 13:59

Ushtria izraelite bombardoi kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës ..

Ushtria izraelite bombardoi kampin e refugjatëve Jabalia në veri të Rripit të Gazës dhe se nga sulmi ka dhjetëra të vrarë dhe të plagosur. Ushtria izraelite kreu sulm edhe ndaj një zone në afërsi të Qendrës Mjekësore “Jabalia”. Në sulm u vranë edhe disa gazetarë që raportonin mbi situatën atje. Rajoni Jabalia i cili ndodhet në veri të Gazës shpeshherë bëhet objektiv i sulmeve të Izraelit. Gjithashtu ushtria izraelite e ka shndërruar Spitalin “Al-Aëda” në pjesën veriore të Rripit të Gazës në një "kazermë ushtarake". Zëdhënësi i ministrisë, Ashraf al-Qudra tha se ushtria izraelite po mban 240 palestinezë, duke përfshirë 80 pjesëtarë të ekipit mjekësor, 40 pacientë dhe 120 persona të zhvendosur brenda spitalit. Ai tha gjithashtu se palestinezët brenda spitalit kanë mbetur pa ujë, ushqim dhe ilaçe, duke shtuar se ushtria izraelite pengon lëvizjen midis njësive spitalore.
 
"U gjeta mes pluhurit, rrënojave dhe rërës. Isha e ngulfatur nga të gjitha anët, në hundë, në vesh, kudo isha. Një mur ra një centimetër larg meje, e mbajta larg vetes, ishte shumë i rëndë. Bërtisja për ndihmë, doja që dikush të dëgjonte zërin tim për të më ndihmuar.", - u shpreh banorja e Gazës, Sarah Krajem.
 
“Në orën 2 të mëngjesit u zgjuam me çatinë e shtëpisë mbi kokë. Njerëzit na nxorën nga rrënojat, unë humba dy nipërit e mi, Aishja ishte dy javëshe, nuk e kemi regjistruar ende, ajo nuk e ka madje ende një certifikatë lindjeje dhe është vrarë.”, - theksoi banorja në Gaza, Suzan Zoorob.
 
Gaza ndodhet në një krizë humanitare, ndërsa të mbijetuarit nga bombardimet rrezikojnë të vdesin nga uria, thonë nga Agjencia për program botëror e ushqimit.
 
“Situata është shumë e rëndë. Është një katastrofë e madhe. Mendoj se më e pakta mund të themi. Ne kemi parë njerëz që përpiqen të gjejnë ushqim. Ne kemi parë njerëz që po përpiqen të gjejnë dru për të ndezur zjarrin, në mënyrë që ata të mund të gatuajnë një vakt. Ata hanë çfarëdo që gjejnë nëpër mbeturina.”, - theksoi Samer Abdel Jaber nga Programi Botëror i Ushqimit.
 
Sulmet ajrore dhe tokësore izraelite në Rripin e Gazës, që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor, kanë vrarë të paktën 19,453 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë. Gati 1,500 izraelitë kanë humbur jetën që nga fillimi i luftës në Gaza.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU