Botë
16 vjetori i sulmeve të NATO-s ndaj forcave serbe, Jahjaga: sulmet, veprim humanitar i aleancës
24.03.2015 17:39
Në Kosovë dhe Serbi u përkujtua 16 vjetori i sulmeve të NATO-s ndaj objekteve ushtarake dhe policore serbe...

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vlerësuar se këto sulme ishin veprimet më humanitare në historinë e Aleancës Veriatlantike, si një përcaktim i fuqishëm i botës demokratike kundër politikave agresive dhe në mbrojtje të popullsisë civile.
Në shënimin e 16 vjetorit të sulmeve ajrore të NATO-s, kur shënohet fillimi i kthimit të shpresës për qytetarët e Kosovës për një jetë të re, shprehim mirënjohje të përhershme për SHBA-të, vendet anëtare të BE-së dhe të NATO-s, që me përkushtim u angazhuan në mbrojtjen e vlerave të qytetërimit dhe mundësuan që Kosova sot të jetë vend i qytetarëve të lirë dhe të barabartë.
Solidariteti ndërkombëtar, i dëshmuar përmes veprimit të NATO-s përpara 16 vjetësh, tregon humanizmin e botës së përparuar dhe përkushtimin e saj për respektimin e vlerave të demokracisë, duke u bërë një shpresë për paqe dhe siguri, për një jetë të qetë e të sigurt, për përparim dhe zhvillim për të gjithë popujt dhe shtetet, vlerësoi presidentja e Kosovës.
Por, në Beograd, ashtu si edhe para 16 vitesh, radikalët serbë ia kanë vënë flakën flamujve të NATO-s, BE-së, SHBA-ve dhe Kosovës. Njëherit, duke folur në këtë tubim, lideri i radikalëve, Vojisllav Sheshel, ka thënë se Serbia asnjëherë nuk guxon të bëhet anëtare e NATO-s e as e Bashkimit Evropian, megjithëse “regjimi tradhtar i Aleksadar Vuçiqit po punon për këtë”.
