Maqedoni
Ekstradimi i Palevskit, Lloga: Procedura është në vijim e sipër
19.12.2023 14:14
Institucionet e vendit po punojnë për ekstradimin e Ljupço Palevskit, i cili është i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevskës...

Institucionet e vendit po punojnë për ekstradimin e Ljupço Palevskit, i cili është i dyshuar për vrasjen e 14-vjeçares, Vanja Gjorçevskës. Numri “një” i drejtësisë, Krenar Lloga, thotë se Ministria e Drejtësisë është përgjigjur në kohë ndaj të gjitha kërkesave të palës turke për këtë rast dhe se procedura është në vijim e sipër.
“Ndaj të gjitha kërkesave ne veprojmë dhe u jemi përgjigjur në kohë. Procesi është në vijim e sipër dhe është gjithçka siç duhet. Deri më tani, përveç asaj që është publikuar në ueb faqen tonë, nuk kemi diçka tjetër shtesë. Kur do që do të ketë diçka, në kohë do t’ju informojmë.”, - deklaroi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
Nga Ministria e Drejtësisë më herët thanë se për ekstradimin e tij të plotë do të nevojiten disa muaj, sepse siç është thënë, gjatë procedurës për ekstradim, Palevski do të mund të shfrytëzojë të drejtën e ankimit të procedurës. Periudha maksimale në të cilën ai mund të qëndrojë në paraburgim në Turqi është një vjet.
Në bazë të informacioneve të institucioneve të vendit, Palevski rezulton se është larguar nga vendi më datë 30 nëntor, ku përmes Serbisë dhe Bullgarisë ka hyrë në Turqi, ku i njëjti më vonë u arrestua nga organet turke në qytetin Balikesir. Trupi i pajetë i Vanja Gjorçevskës u gjet më 3 dhjetor. Prokuroria Publike Themelore është në fazë të grumbullimit të të gjitha provave të nevojshme për zbardhjen e plotë të këtij rasti dhe është në pritje të raportit mjeko-ligjor për vrasjen e Vanja Gjorçevskës.
REXHEP QAMILI
