Maqedoni
Ndryshimet në ligjin për evidencë amë, zero persona të paevidentuar në shtet
19.12.2023 14:30
Për herë të parë po pajisen me dokumente personale....

Për herë të parë po pajisen me dokumente personale. Kjo paraqet emocion të veçantë për këto persona. Deri tani ato ishin të paevidentuar, nuk kishin të drejtën e mbrojtjes shëndetësore, mbrojtjes sociale, nuk ishin të evidentuar si persona që kërkojnë punë, kurse u pamundësohej edhe lidhja e kurorës dhe nxjerrja e certifikatave të lindjes për fëmijët. Këto probleme mbeten në të kaluarën, tha kryeministri, Kovaçevski. Me ndryshimet ligjore në ligjin për evidencë amë, shteti mundësoi 526 persona të pajisen me dokumente për identifikim.
“I dhamë fund problemit tri dekadash që kishin qytetarët që u lindën në territorin e vendit tonë, por nuk ishin regjistruar në librat amë dhe nuk ishin në evidencën e të lindurve. Këta qytetarë nuk kishin dokumente, nuk mundeshin të shfrytëzojnë shërbimet shëndetësore, të rregullojnë statusin e fëmijëve të tyre. Këto probleme janë e kaluar.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Ministria e Drejtësisë e koordinoi tërë procesin për këta persona të cilët ishin të paevidentuar. Ministri Lloga tha se në shtet tanimë ka zero persona të paevidentuar.
“Këta njerëz nuk do të jenë më të margjinalizuar, të diskriminuar, të privuar nga qasja në mbrojtje shëndetësore, sociale, arsimim dhe drejtësi. Që me marrjen e postit të ministrit të Drejtësisë, përpjekjet e mia dhe të Qeverisë në lidhje me konceptin për regjistrim civil synojnë gjetjen e mekanizmave të duhur ligjor, të cilat në praktikë do të kontribuojnë në përmbushjen e synimit të vendosur, që është përmirësimi i jetës së qytetarëve, avancimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve dhe forcimi i vlerave evropiane në shoqërinë tonë.”, - theksoi ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga.
I gjithë ky proces ka zgjatur gjashtë muaj, kur edhe u miratua ligji për evidencë amë.
“Me zbatimin e suksesshëm e ndryshimeve dhe shtesave ligjore, me kënaqësi mund të konstatoj se në afat të caktuar, fundi i dhjetorit të vitit 2023, të gjitha kërkesat do të shqyrtohen dhe do të ketë vendim adekuat.”, - u shpreh drejtori i Drejtësisë për Udhëheqjen e Librave Amë, Emir Sulejmani.
Me miratimin e ligjit për evidencë amë u bënë ndryshime edhe në ligjin për vendbanim dhe në ligjin për letërnjoftime.
ERSAN PAJAZITI
