Maqedoni

Strugë dhe Ohër, pritet sezon i mirë dimëror për festat e fundvitit

19.12.2023 14:49

Struga dhe Ohri janë pothuajse plotësisht të rezervuara për festat e Vitit të Ri....

Struga dhe Ohri janë pothuajse plotësisht të rezervuara për festat e Vitit të Ri. Objektet hotelerike deri në fundvit pritet të punojnë me kapacitet 100%. Sezoni veror këtë vit në Liqenin e Ohrit arriti kulminacionin, duke krijuar rekordin e 10 viteve të fundit, ndërsa e njëjta pritet edhe këtë sezon dimëror, ku për shkak të festës së Vitit të Ri dhe festave që pasojnë, mysafirë të shumtë do të vizitojnë këto dy qytete. 
 
“Për pritjen e festave të fundvitit tashmë janë bërë rezervimet nëpër hotele. Deri tani kemi rreth 60 apo 70% dhe çdo ditë numri shkon më lartë. Mund të thuhet se sezoni në përgjithësi është më i mirë se 5 a 6 vitet e fundit dhe çdo sezon shkon për më mirë, në krahasim me vitet e kaluara të 10 viteve të fundit, kështu që pritet një atmosferë e mirë në Liqenin e Ohrit. Shumë mysafirë rezervojnë edhe në akomodime private.”, - deklaroi kryetari i HOTAM-it, Kërste Blazheski. 
 
Aranzhimet për Vitin e Ri në bregun e Liqenit të Ohrit këtë vit janë rritur me çmim nga 10 deri në 20%. Nga Shoqata e hoteliereve thonë se rritja e çmimeve është nën presionin e inflacionit, si dhe përmirësimin e ofertës, megjithatë rajoni i Liqenit të Ohrit mbetet sërish destinacioni më i lirë në krahasim me vendet tjera. 
 
“Vetëm muzika për evente të tilla është shtrenjtuar, produktet janë shtrenjtuar. Ushqimi dhe pijet, normale është të kenë rritje të çmimit, por mund të them se rajoni i Strugës dhe Ohrit ende janë destinacionet më të lira në krahasim me destinacionet tjera të shteteve përreth.”, - theksoi kryetari i HOTAM-it, Kërste Blazheski.
 
Liqeni i Ohrit është një destinacion jashtëzakonisht i preferuar për festat e fundvitit, veçanërisht për të rinjtë e shteteve fqinje. 
 
ILMIE ZHAKU