Maqedoni
Deklarata e ministres bullgare, Kovaçevski: S’ka kërkesa tjera pos ndryshimeve kushtetuese
19.12.2023 16:06
Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski, me qëndrime të ndryshme rreth deklaratës...

Kryeministri, Dimitar Kovaçevski dhe kryetari i VMRO-së, Hristijan Mickoski, me qëndrime të ndryshme rreth deklaratës së zëvendëskryeministres bullgare, Marija Gabriel, e cila përveç ndryshimeve kushtetuese, ka thënë se vendi ynë duhet t’i implementojë dy protokollet dhe Marrëveshjen për Fqinjësi të Mirë. Kovaçevski me përgjigje se konkluzat e Samitit të fundit në Bruksel dhanë mesazhin se mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare e pengojnë vetëm ndryshimet kushtetuese.
“Nuk tha se ka kushte të reja. Ne kemi kornizë negociuese të qartë, kornizë që ka obligime për BE-në dhe kuptohet për Maqedoninë e Veriut. Ne në samitin e fundit në Bruksel patëm konkluzën më të fuqishme deri më tani, që prej marrjes së statusit të vendit kandidat. Në paragraf thuhej: Maqedonia e Veriut ka mbaruar procesin e skriningut në mënyrë të suksesshme, mbetet ta plotësojë obligimin për implementimin e amendamenteve kushtetuese dhe menjëherë pa prolongim të caktohet konferenca e dytë ndërqeveritare.”, - theksoi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Mickoski: Ajo ua tha të vërtetën që e paralajmëruam ne
Për kryetarin e opozitës maqedonase, Mickoski, partia e tij moti kohë ka paralajmëruar këtë lajm që erdhi nga Bullgaria. Sipas tij, në skenën publike u dëshmuan gënjeshtrat e pushtetarëve.
“Ua tha të vërtetën në sy, të vërtetë për të cilën VMRO-DPMNE-ja dhe unë flasim një vit e gjysmë. Ky është vetëm fillimi i problemeve që vijojnë për shkak se pa mbështetjen e shoqërisë dhe pa konsultimet me opozitën nënshkruan marrëveshje, me qëllim që ta mbarojnë projektin e tyre - 2 vite pushtet.”, - deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Mickoski thotë se janë të gatshëm që pas formimit të qeverisë siç pretendon ta udhëheqë VMRO-DPMNE-ja, t’i zgjidhin problemet e shtetit në mënyrë dinjitoze.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
