Kalkulimet e politikës për zgjedhjet, ende jo e dakorduar përbërja e Qeverisë teknike

19.12.2023 16:50

Vazhdojnë kalkulimet e partive politike

Vazhdojnë kalkulimet e partive politike për zgjedhjet e radhës dhe formimin e Qeverisë teknike. Krerët e dy partive më të mëdha maqedonase në vend, asaj të VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së, akoma nuk janë dakorduar për përbërjen e Qeverisë teknike.

Për kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, kjo është një çështje teknike pa nevojën e pompozitetit mediatik. Ai nuk përjashton mundësinë e koalicionimit me partitë tjera politike në zgjedhjet e ardhshme.

“Sa i përket zgjedhjeve, analizohen të gjitha mundësitë, por një është e sigurt se do të kemi dy blloqe, një do të jetë pro-evropian që do të synojë integrimin evropian të vendit dhe blloku i dytë do të jetë antievropian, i cili sipas asaj që e ka deklaruar lideri i atij blloku antievropian, Maqedonia mund të presë edhe 100 vite që të mos jetë anëtare e BE-së. Kjo nënkupton se të gjithë qytetarët e RMV-së, që tani më janë të lindur, nuk do ta presin anëtarësimin në BE.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.

Kryetari i opozitës maqedonase thotë se pjesëmarrja në Qeverinë teknike ka për qëllim ruajtjen e proceseve demokratike, sepse sipas tij, partitë në pushtet do t’i keqpërdorin mjetet buxhetore dhe do ta keqpërdorin procesin zgjedhor.

“Propozimi im do të jetë të nominojmë persona që do të kenë detyrë themelore të ruajnë procesin demokratik, sepse pushteti periudhën e kaluar, por edhe në të ardhmen, do të mundohet në tri baza të krijojë probleme. E para është se pa mëshirë do t’i shpenzojnë mjetet buxhetore, e dyta do të sillen në mënyrë të dhunshme të pengojnë punën e Komisionit shtetëror zgjedhor. Opozita e definuar në bllokun shqiptar e shohim se nuk mundet në mënyrë të denjë të nominojë anëtarë në KShZ. Unë akoma po konsultohem me bashkëpunëtor dhe nëse vazhdojnë kështu të sillen, nuk ka as VMRO-DPMNE-ja se çfarë të kërkojë në punën e KShZ-së.”, - theksoi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

Krenar Lloga nga Aleanca për Shqiptarët tha se si parti nuk heqin dorë nga anëtari në Komisionin.

“Qëndrimi i partisë sonë është thënë edhe nga kryetari edhe nga organet tjera, që ne pretendojmë që ta kemi anëtarin tonë në Komision dhe kemi dhënë propozimin për anëtarin në fjalë.”, - u shpreh Krenar Lloga nga Aleanca për shqiptarët.                                                                                                                                                                                                                                 

Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend në mbledhjen e liderëve ranë dakord që zgjedhjet parlamentare të mbahen më 8 maj. Ata do të jenë së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale për të cilat raundi i parë do të jetë më 24 prill. 100 ditë para zgjedhjeve,gjegjësisht më 28 janar do të formohet Qeveria teknike. (Florije Beluli – Kamberi, TVM2)