Fjalimi i presidentit në Kuvend: Të vazhdohet rruga e eurointegrimeve

19.12.2023 16:28

Ruajtja e marrëdhënieve stabile....

Ruajtja e marrëdhënieve stabile ndëretnike dhe vazhdimi i rrugëtimit evropian të vendit janë dy çështjet kyçe të rëndësishme për shtetin, të cilat u theksuan nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, në fjalimin e fundit të mandatit të tij para deputetëve.

Presidenti gjithashtu ftoi deputetët në unitet dhe tejkalimin e ndasive, sidomos të bllokut politik maqedonas, ndërkohë që anashkaloi edhe pa theksuar anashkalimin që i bëri Këshilli i Evropës Ballkanit Perëndimor së fundmi dhe ngecjet eventuale që mund të vijnë, sa i përket eurointegrimit të vendit në BE.

“Nëse Ukraina dhe Moldavia fitojnë prioritet në raport me Ballkanin, nuk është vlerësimi im as e ndonjë politikani maqedonas, por e ministrit austriak për Punë të Jashtme, në të cilën ngërthehen të gjitha frustracionet tona dhe shpresa e tradhtuar. Megjithatë shteti do të duhet të mbetet në rrugën e integrimeve evropiane, pa marrë parasysh se cila qeveri do të udhëheqë pas zgjedhjeve të majit në vitin 2024 dhe si do të jenë lëvizjet pas zgjedhjeve në parlamentin evropian dhe zgjedhjet presidenciale në Amerikë. Ngecja eventuale ose ndërprerja e plotë e integrimeve nuk do të reflektojë mirë në asnjë sferë, duke u nisur nga ekonomia e deri te marrëdhëniet ndëretnike.”, - deklaroi presidenti, Stevo Pendarovski.

Pendarovski: Fokusi, në ndryshimet kushtetuese

Presidenti Pendarovski ftoi partitë politike që të fokusohen në ndryshimet kushtetuese, e në veçanti ato të bllokut maqedonas, pasi sipas tij, Maqedonia s’do të merr kornizë më të mirë negociuese nga Brukseli, e as marrëveshje me Bullgarinë. Pendarovski siguroi se s’do të ketë lëshim pe kundrejt Bullgarisë.

 “Sa i përket ndryshimeve kushtetuese, përbërja e re parlamentare do të duhet të vazhdojë debatin mbi baza reale dhe me qasje më të sinqertë ndaj opinionit. Është e qartë si kristali se korniza evropiane nuk mund të ndryshojë kah më e mira, e as marrëveshja dypalëshe me Bullgarinë, pavarësisht se kush është në pushtet në Bruksel apo Sofje.”, - theksoi presidenti, Stevo Pendarovski.

Pendarovski: Përbërja e re të luftojë korrupsionin

Presidenti foli për zhvillimin demografik në shtet. Gjithashtu theks të veçantë vuri edhe luftimit të krimit, korrupsionit dhe llogaridhënies. Ai që tani ftoi përbërjen e re parlamentare që të luftojë politikanët e korruptuar, gjykatësit dhe prokurorët. Fjalimi i Pendarovskit u ndoq nga prijës të institucioneve të ndryshme si dhe i mbarë korri diplomatik në vend. (Meral Ismaili, TVM2)