Fjalimi i fundit i Presidentit në Kuvend, reagojnë partitë politike
Fjalimi përmbyllës i Presidentit të vendit, Stevo Pendarovski....

Fjalimi përmbyllës i Presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, në Kuvendin e RMV-së ka ngjallë reagimet e subjekteve politike në vend.
Opozita maqedonase, por edhe ajo shqiptare e kritikuan Pendarovskin për mandatin e tij si president, por edhe vet fjalimin e tij të fundit këtë vit si president.
Sipas Antonio Milloshovskit nga VMRO-DPMNE-ja, Presidenti Pendarovski kishte një fjalim të zbrazët, e cila ishte e kurdisur posaçërisht vetëm për LSDM-në.
“Ky ishte një fjalim i zbrazët i mbushur me floskula dhe e cila ishte e kurdisur posaçërisht për LSDM-në, të cilët duhet të vendosin se a do ta kandidojnë Pendarovskin edhe për një mandat. Vetëm në një fakt pajtohemi në fjalimin e Presidentit, se kjo do të jetë fjalimi i tij i fundit si president i vendit.”, - theksoi Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja.
Edhe Fadil Zendeli nga LEN-i theksoi se presidenti vetëm i përsëriti disa konstatime, të cilat qytetarët i dinë shumë mirë të njëjtat dhe se këto teza tanimë janë të njohura për qytetarët.
“U pa nga deklarata se nuk ka asgjë të re, por vetëm konstatime dhe gjëra të cilat opinioni publik tashmë i di. Nuk dëgjuam diçka të re, nuk dëgjuam ndonjë qasje apo ndonjë pozicion me të cilën problemet dhe fenomenet negative të cilat i kemi në shoqëri do të mund t’i tejkalojmë. Ndoshta edhe vet presidenti është nën ethet e zgjedhjeve të ardhshme presidenciale, porosia është shumë e qartë dhe shumë negative dhe shumë shqetësuese.”, - u shpreh Fadil Zendeli nga LEN-i.
Por për deputetët e LSDM-së, presidenti edhe njëherë ashtu si disa herë deri më tani, ka treguar karakter të fortë të një burrështetasi që ka ditur t’i mbrojë interesat e vendit.
“Ishim dëshmitarë të një prononcimi të një burrështetasi të vërtetë nga ana e presidentit të vendit, Stevo Pendarovski, ku ai me theks të veçantë u ndal në sfidat më kryesore të vendit tonë, siç është anëtarësimi i vendit në BE dhe në NATO. LSDM-ja përshëndet vendimin e presidentit që mbetet në qëndrimin se RMV-ja duhet të mbetet në rrugën euroatlantike dhe se variant tjetër nuk kemi.”, - theksoi Martin Kostovski nga LSDM-ja.
Për deputetët e ASh-së, Pendarovski vetëm ka konfirmuar tezat për të cilat është angazhuar ndër vite edhe vet ASh-ja, por sipas deputetit të ASh-së, Halil Snopçe, ato kishin pritur nga Presidenti që të flasë më shumë për kohezionin e brendshëm.
“Në lidhje me aspektin e kohezionit të brendshëm fatkeqësisht nuk dëgjuam nga presidenti ndonjë iniciativë më konkrete ose apel më konkret për forcimin e këtij kohezioni të brendshëm, respektivisht qëndrimin e tij në lidhje me kërkesën tonë për heqjen e 20 për qindëshit.”, - deklaroi Halil Snopçe nga ASh-ja.
Pendarovski gjatë fjalimit të tij foli për procesin integrues të vendit, ku theksoi se RMV-ja me sukses ka kaluar sfidat më të vështira të vendit. (Fitim Kryeziu, TVM2)
