Botë
Johanes Hahn në Tiranë: të vazhdojnë reformat dhe dialogu politik
24.03.2015 17:51
Në vjeshtë, Shqipëria do t’i dorëzojë Bashkimit Evropian pesë prioritetet kyçe të kërkuara nga ky organizëm ndërkombëtar...

Deklaratën e bëri kryeministri, Edi Rama, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me komisionerin për zgjerim në BE, Johanes Hahn, mbajtur në Tiranë, menjëherë pas përfundimit të tryezës së dialogut të lartë Shqipëri-BE.
“Në vjeshtë ne do t’i japim komisionit në dorë gjithçka të plotësuar lidhur me të pestë prioritetet nëse i referohemi detyrave të shkruara. Qëllimi nuk është që të çojmë në Bruksel letra, por të ndërtojmë Shqipërinë evropiane këtu. Që të bëjmë këtë na vjen në ndihmë procesi i integrimit dhe me të gjithë instrumentet që ky proces u jep vendeve. Normalisht, pastaj pjesa tjetër i takon vendeve anëtare dhe i mbetet atyre të vendosin”- deklaroi kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Nga ana e tij, komisioneri Hahn nënvizoi se Bashkimi Evropian e do Shqipërinë pjesë të tij. Theksin kryesor Hahn e vuri tek reforma në drejtësi.
“Duke parë pesë prioritetet kyçe, do të thosha sa ka pasur ecuri dhe progres gjithandej dhe fokusi duhet të jetë në të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit. Ka nevojë për një gjyqësor të pavarur. Ky është parakusht që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni. Normalisht që ka pasur progres, por flitet edhe për trajnimin e gjyqtarëve dhe kemi folur edhe për reformë në administratën publike. Nuk duhet të harrojmë, si një person që vjen nga Austria, se kemi pasur fatin të mos ishim në sistemin komunist, por kemi parë efektet, pasi shumë vende rreth nesh ishin në atë sistem. Duhet një sistem gjyqësor i pavarur, që të kthejë besimin e qytetarëve dhe ku të gjithë të jenë të barabartë para ligjit. Por, kjo lidhet me krijimin e vendeve të punës, që do të sillnin një nivel më të lartë begatie për vendin, për të shmangur largimin e njerëzve jashtë dhe të qëndrojnë këtu”- tha komisioneri për zgjerim në BE, Johanes Hahn.
Ka reaguar edhe përfaqësuesja e opozitës në këtë tryezë, Majlinda Bregu. Ajo vlerësoi se kësaj here i është lejuar të flasë më gjatë, ndërsa ka bërë një përmbledhje të shkurtër të asaj që ndodhi në takim.
Temë kryesore në tryezën e dialogut të nivelit të lartë kanë prioritetet që Shqipëria ka si kusht për hapjen e negociatave dhe integrimin në Bashkimin Evropian, mes të cilave edhe dekriminalizimi.
LULJETA NDOKA
