Maqedoni

Kuvend, kuponë prej 8 mijë denarësh për studentët

24.03.2015 18:02

Me 63 vota për, kuvendi me procedurë të shkurtuar miratoi propozim-ligjin për shpërndarjen e kuponëve me vlerë prej 8 mijë denarësh për studentë...

Sipas ligjit, të drejtën e aplikimit do ta kenë studentët e rregullt të vitit të tretë dhe të katërt, si dhe studentët e regjistruar si persona me nevoja të posaçme. 
 
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ivo Ivanovski, u arsyetua se ligji miratohet me procedurë të shkurtuar që të mos ketë ngecje në aktivitetet për shpërndarjen e kuponëve.
 
“Kushtet që duhet t’i plotësojnë studentët për të fituar kupon me shumë prej 8 mijë denarësh është që prindërit e tyre të kenë të ardhura të tërësishme bruto për një muaj jo më shumë se 32.741 denarë për vitin 2014. Në qoftë se ata i plotësojnë këto kushte, studentët do të mund të paraqiten në fakultetet ku studiojnë”- deklaroi ministri i Shoqërisë Informatike, Ivo Ivanovski.
 
Deputetët kryesisht mbështetën miratimin e ligjit, por deputetja, Roza Tupuzova-Karevska, vlerësoi se qeveria kuponët me vlerë do të duhet t’i ndajë sipas programeve studimore.
 
“Të ndahen programet studimore. Studentëve që ju zgjasin programet studimore tre vjet, të kenë mundësi kuponin ta marrin nga viti i dytë. Programet studimore që zgjasin katër vite, të përkufizohen në  vitin e tretë”- tha deputetja e pavarur, Roza Tupuzova-Karevska.
 
Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Ivo Ivanovski, sqaroi se sipas analizave të bëra, mjete mund të ndahen vetëm për kategoritë të parashikuara me këtë propozim-ligj.
 
Statusin e tij material studenti i rregullt duhet ta dëshmojë me vërtetim nga Drejtoria për të Ardhura Publike.
 
Studenti, i cili jeton me një ose pa prindër, atë duhet ta dëshmojë me kopje nga akti për divorc, ose certifikatë nga libri amë i të vdekurve. 
 
Ndërkohë, MASH-i, më së voni deri më një qershor do të duhet të përgatit listën e studentëve të cilët mund të shfrytëzojnë ¬kuponin me vlerë. 
 
NAIM RAMADANI