Botë

Gjykata Supreme e Koloprados: Trampi, i papërshtatshëm si kandidat presidencial

20.12.2023 09:44

Donald Trump nuk është kandidat i përshtatshëm presidencial, sepse është përfshirë në kryengritje...

Donald Trump nuk është kandidat i përshtatshëm presidencial, sepse është përfshirë në kryengritje gjatë trazirave që kanë ndodhur në Kongresin amerikan, tre vite më parë. Kështu ka vendosur Gjykata Supreme e Kolorados duke u thirrur në klauzolën kushtetuese për kryengritje, me çka e largoi nga lista e kandidatëve presidencial në zgjedhjet preliminare. Shumica e gjykatësve vlerësuan se Trampi është diskualifikuar ta kryejë funksionin e kryetarit, thuhet në vendimin e gjykatës. Trampi e ka cilësuar vendimin si antidemokratik dhe ka paralajmëruar se do ta apelojë atë në Gjykatën Supreme të ShBA-së.
 
Kjo është hera e parë që interpretohet një pikë e amendamentit të 14-të të Kushtetutës amerikane, për të diskualifikuar një kandidat për president. Tentime të ngjashme për të pamundësuar garën e Trampit në Nju Jork, Minesota dhe Miçigan, kanë dështuar. Por, Uashington Post shkruan se ka edhe gjykata të tjera që po përgatiten për të sjellë vendime të ngjashme me atë të Kolorados. Ky vendim vlen vetëm për votimet fillestare të 5 marsit, kur republikanët do të votojnë për kandidatin e tyre të preferuar për president, ndonëse vendimi mund të ketë ndikim në zgjedhjet e përgjithshme të ShBA-së, që mbahen në nëntorin e vitit të ardhshëm. Trampi njëherit po përballet edhe me kritika për qëndrimin e tij kundër emigrantëve, të cilat u vlerësuan si fashiste. Këtë e ka mohuar Trampi. 
 
“Po e shkatërrojnë vendin. Është e saktë se po e prishin gjakun e shtetit tonë. Kjo është ajo që ata e bëjnë. Patjetër të futen legalisht, sepse tani tërë sistemi është dërmuar dhe asnjë vend nuk mund ta përballojë këtë.”, - theksoi ish-presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. 
 
Aktualisht, Trampi po përballet me katër raste penale nëpër gjykatat amerikane, përfshirë një rast federal dhe një padi tjetër në shtetin e Xhorxhias, lidhur me dyshimet se ka bërë përpjekje për përmbysje të rezultatit zgjedhor.  
 
REXHEP QAMILI