Botë
MPB-ja e Kosovës: Këtë vit në aksidente trafiku, 103 të vdekur
20.12.2023 13:55
Gjatë periudhës nga 1 janari deri më 18 dhjetor të këtij viti, në Kosovë në aksidente komunikacioni kanë vdekur 103 persona...

Gjatë periudhës nga 1 janari deri më 18 dhjetor të këtij viti, në Kosovë në aksidente komunikacioni kanë vdekur 103 persona. 46 nga personat e vdekur në këto aksidente kanë qenë shoferë automjetesh, 29 këmbësorë dhe 28 nga të vdekurit kanë qenë pasagjerë. Me qëllim të uljes së fatkeqësive në komunikacion të cilat kryesisht shkaktohen për shkak të shpejtësisë së papërshtatshme, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar një plan të ri operativ duke ashpërsuar masat e policisë në trafik.
“Duke marrë shkas nga numri i madh i aksidenteve dhe jetëve të humbura në komunikacion, konsiderojmë ashpërsim të veprimeve tona dhe realizim të tyre pa asnjë kompromis. Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë të komunikacionit duke përfshirë edhe këmbësorë. Ne si shoqëri dhe si shtet nuk kemi asnjë qytetar për të humbur, veçanërisht për shkak të pakujdesisë së dikujt apo mosrealizimit të detyrave të zyrtarëve tanë.”, - deklaroi Xhelal Sveçla nga MPB-ja e Kosovës.
Një problem i theksuar janë garat e jashtëligjshme të komunikacionit, si ajo në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku të shtunën e kaluar humbën jetën tre persona.
“Policia e Kosovës ka shqiptuar 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të jashtëligjshme automobilistike, të cilat përveç se janë të dënueshme me ligjet e Republikës së Kosovës, shkaktojnë edhe rrezik të përgjithshëm për qytetarët në komunikacion.”, - theksoi Xhelal Sveçla nga MPB-ja e Kosovës.
Sveçla, me këtë rast, ka bërë të ditur se vitin e kaluar në Kosovë ka pasur 95 aksidente me fatalitet, ndërsa këtë vit 94. Vitin e kaluar e kanë humbur jetën 106 persona, ndërsa këtë vit 104.
GYLTENE SINANI
