Maqedoni
Shefi i Ushtrisë Shqiptare, Kingji, në Shkup: Bashkëpunimi mes dy ushtrive, në nivel të lartë
20.12.2023 14:45
Bashkëpunimi bilateral mes Ministrive të Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut...

Bashkëpunimi bilateral mes Ministrive të Mbrojtjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në nivel më të lartë dhe të dyja vendet po punojnë në përforcimin e paqes dhe sigurisë në rajon. Ky është konstatimi i përbashkët i përfaqësuesve e të dyja vendeve, që ai tha pas përfundimit të vizitës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Arben Kingji, në Shkup, me homologun e tij nga RMV-ja, Vasko Gjurçinovski dhe me zëvendësministrin e Mbrojtjes, Tiron Jajaga.
“Bashkëpunimi ynë dypalësh bilateral i mbrojtjes është në nivelin më të lartë. Të dyja vendet po punojnë në përforcimin e paqes dhe sigurisë në rajon, përmes pjesëmarrjes aktive në nismat rajonale si A5, SEDM, Brigada e Evropës Juglindore, por edhe përmes pjesëmarrjes në misione dhe operacione si, KFOR dhe EUFOR – Altea.”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ministria e Mbrojtjes.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i ARM-së, Vasko Gjurçinovski dhe ai i Shqipërisë, Arben Kingji, si përfaqësues i të dy vendeve anëtare të NATO-s, po ashtu shkëmbyen përvojat tyre lidhur me aktivitetet e parashikuara për plotësimin e qëllimeve të caktuara ushtarake, mundësia për avancimin e bashkëpunimit të mëtejshëm me shfrytëzimin e kapaciteteve për trajnim, edukimin ushtarak, si dhe bashkëpunimin në nivel operativ përmes realizimit të ushtrimeve të përbashkëta ushtarake.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, Arben Kingji, u prit edhe nga presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski. Ndryshe Ushtria e Maqedonisë së Veriut renditet e 108-ta në listën e ushtrive më të fuqishme në botë, të cilën e ka publikuar portali i specializuar që merret me analiza ushtarake “Global Firepower”. Derisa Ushtria Shqiptare radhitet në vendin e 91, në rajonin e Evropës Juglindore ushtrinë më të fuqishme e ka Greqia, e cila është radhitur në vendin e 30-të, pason Serbia e 58-ta, Bullgaria e 59-ta, Kroacia e 68-ta, apo Sllovenia 86-ta. Në nivel botëror nga 145 vende ShBA-ja është në vendin e parë, të ndjekur nga Rusia, Kina, India, Britania e Madhe, etj.
BELINDA KOKA ADEMI
