Maqedoni
Kompletimi i KShZ-së, Kasami: Do të protestojmë për vendin në KShZ
20.12.2023 15:15
Opozita shqiptare paralajmëron protesta, nëse nuk i jepet një vend në KShZ...

Opozita shqiptare paralajmëron protesta, nëse nuk i jepet një vend në KShZ. Kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami, s’do të lejojë që në zgjedhje të shkohet pa komision zgjedhor të kompletuar, pasi kjo rrezikon procesin demokratik të votimit. Sipas tij, vendi në KShZ, ligjërisht i takon opozitës dhe vetë kryeparlamentari ka kërkuar propozim nga opozita.
“Kërkoni letërkëmbimin midis kryetarit të Kuvendit dhe partive dhe do të shihni që kryetari i Kuvendit se kujt i ka dërguar letër dhe do të shihni se propozimet nga cilat parti vijnë. Kjo vetë tregon faktin që Qeveria përmes disa partive satelit mundohen që t’ia pamundësojnë opozitës shqiptare që të kenë anëtarin e saj në Komisionin Qendror të zgjedhjeve. Ne nuk do të lejojmë që në zgjedhje të shkohet me komision zgjedhor të pakompletuar, sepse kjo rrezikon dhe pamundëson që qytetarët të kenë të drejtë të barabartë për të dhënë votën e tyre dhe për të bërë rotacionin politik.”, - deklaroi kryetari i Lëvizjes “Besa”, Bilall Kasami.
Kovaçevski: Të veprohet sipas ligjit
Nga VMRO – DPMNE-ja ditë më parë kanë paralajmëruar se do të lëshojnë KShZ-në, nëse opozita shqiptare nuk i jepet anëtari që i takon. Kryeministri Dimitar Kovaçevski fton trupat kuvendor që në përputhje me ligjin të kompletojnë KShZ-në.
“Përbërja e KShZ-së është rregulluar në përputhje me ligjin. Sikurse Parlamenti, por edhe Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime do të duhet të veprojë në përputhje me ligjin dhe ta kompletojë përbërjen e KShZ-së.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Nga Kuvendi ende nuk kanë caktuar seancë për votimin e anëtarit të KShZ-së, ku në garë janë Abdush Demiri, propozim i opozitës shqiptare dhe Zylfi Adili me mbështetjen e Partisë Popullore Evropiane të Arjanit Hoxhës. Beteja për plotësimin e vendit të vetëm nga gjithsej shtatë anëtarë në KShZ vijoi pasi Krenar Lloga u emërua ministër i Drejtësisë.
MERAL ISMAILI
