Maqedoni
Kovaçevski: Takimi me Mickoskin për emrat në Qeverinë teknike
20.12.2023 15:30
Formimi i Qeverisë teknike është çështje e kryer për kryeministrin, Dimitar Kovaçevski....

Formimi i Qeverisë teknike është çështje e kryer për kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, pasi ajo është dispozitë ligjore. Sa i përket takimit me Mickoskin, ai thotë se do të jetë një takim për të diskutuar rreth kandidatëve të mundshëm për Qeverinë teknike, por do të jetë i mbyllur për mediat.
“Ajo do të jetë pasi të mblidhen organet e partisë, do të ketë një mbledhje, e cila nuk do të bëhet e ditur përmes mediave, por do të bëhet një bisedë normale për zbatimin e asaj që është përcaktuar në përputhje me ligjin, pra shpërndarjen e resorëve në Qeverinë teknike, votimin e asaj qeverie në Kuvend dhe përgatitje për zgjedhje.”, - deklaroi kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Pasi partitë u dakorduan për datën e zgjedhjeve, ato kanë filluar edhe t’i peshojnë emrat e kandidatëve të mundshëm për bartës liste. Aktualisht qarkullojnë emrat e bartësve të listave parlamentare të VMRO-DPMNE-së, në mesin e të cilëve është Mickoski, Vllado Misajlovski, Dragan Kovaçki, Aleksandar Nikollovski etj. Kovaçevski është i sigurt për fitoren zgjedhore, por nuk i publikoi kandidatët e LSDM-së, që do të kundërshtojnë kryesuesit nga blloku opozitar.
“LSDM-ja do të ketë kandidatë që do t’i fitojnë të gjithë kandidatët që ju i numëruat.”, - u shpreh kryeministri, Dimitar Kovaçevski.
Zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut do të mbahen më 8 maj të vitit 2024, së bashku me raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale. Rundi i parë për zgjedhjen e presidentit të vendit do të zhvillohet më 24 prill. Ndërsa njëqind ditë para zgjedhjeve ose më 28 janar do të formohet Qeveria teknike në krye me Talat Xhaferin, si kryeministër.
SANIJE DURAKU
