Maqedoni
MASh-i, mbështetje financiare për nxënësit, shkollat ndihmojnë prindërit për aplikim
20.12.2023 15:45
Pas thirrjes publike nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mbështetje financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme...

Pas thirrjes publike nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për mbështetje financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme, janë vënë në funksion të gjitha organet e shkollave, me qëllim që sa më shpejtë të mund të kryhet aplikimi. Kriteri bazë është që pagat e prindërve të mos kalojnë shumën prej 50,000 denarëve.
Gjithçka që duhet të bëjnë prindërit për të marrë të drejtën e kompensimit financiar ose ndihmesës financiare, e cila është paraparë nga ana e MASh-it, është që prindërit fillimisht duhet të vijnë tek organet e shkollës fillore, ku fëmija vijon mësimin dhe të pajiset me deklaratën dhe me fletëparaqitjen. Këto dy dokumente tërhiqen nga organet e shkollës, respektivisht nga sekretari apo arsimtari i nxënësit. Bëhet fjalë për këto fletëparaqitje dhe këtë deklaratë. Po ashtu prindi duhet të marrë xhirollogarinë apo transaksionin bankar, që duhet të tërhiqet në bankë, si dhe një vërtetim i prindërve nga vendi i tyre i punës, me qëllim që të vërtetohet paga e prindërve, se mos vallë kalon 50,000 mijë denarë, sepse është paraparë si kriter nga ana e MASh-it. Për procedurat tjera janë organet e shkollës që i ndihmojnë prindërit deri në kompletim.
“Ne në kuadër të shkollës kemi formuar dy komisione; një në ndërrimin e paradites, tjetri në ndërrimin e pasditës dhe intensivisht po punojmë në kompletimin. Deri më tani, 30 për qind e prindërve kanë marrë dokumentacionin të cilën duhet ta plotësojnë, është shkaktuar një rrëmujë, ku arsimtarët dhe kujdestarët e klasave i kanë informuar me kohë prindërit. Për kompletimin e dokumentacionit për aplikim nga shkolla jepet fletëparaqitje dhe deklarata, që tanimë një numër të madh prej tyre e kemi gati, ndërsa vazhdimin e dokumentacioneve kush nuk e di, duhet transaksioni bankar kopje dhe vërtetimi nga vendi i punës për ata që janë të punësuar, ndërsa për ata që nuk janë të punësuar duhet vërtetim nga Enti Shtetëror për Punësim. Sa i përket fëmijëve të cilët janë me një prind, do të duhet certifikata e vdekjes për prindin që nuk e kanë.”, - deklaroi drejtoresha e Shkollës Fillore “7 MARSI”, Fitore Qirezi.
Nuhiu: Shkollat dhe prindërit të mobilizohen për aplikim
Zëvendësministri i Arsimit, Agim Nuhiu, për TVM/2, thekson se afati për aplikim është 24 dhjetori, prandaj apelon te shkollat dhe prindërit të mobilizohen, që në kohë të kryhet aplikimi.
“Në këtë kontest ne kemi paraparë një pako financiare për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe thirrja publike është aktive dhe do të zgjasë deri më 24 dhjetor, do të zgjasë 6 muaj dhe mendojmë se do të jetë një ndihmesë për nxënësit dhe për prindërit. Ne kemi pasur disa takime të drejtpërdrejta edhe me disa shkolla, ku kemi kërkuar dhe prapë kërkojmë që të mobilizohen të gjithë, sepse afati është i shkurtër që të mund t’i dorëzojnë dokumentacionin. Kriteri bazë është që paga neto e prindërve të mos kalojë më shumë se 50 mijë denarë dhe kushti tjetër është që ata duhet të jenë nxënës të rregullt. Dokumentacioni do të duhet të dorëzohet në vet shkollat ku nxënësit mësojnë, pastaj shërbimet do t’i përcjellin deri tek MASh-i.”, - theksoi zëvendësministri i MASh-it, Agim Nuhiu.
Në thirrjen publike po ashtu sqarohet se nëse bëhet fjalë për fëmijë, të cilëve njëri prind është i vdekur, do të duhet të dorëzohet dëshmi apo certifikatë nga libri i të vdekurve dhe çeku i fundit i
pensionit. Nëse është fëmijë i prindërve të divorcuar, dëshmi apo aktvendim nga aktgjykimi i plotfuqishëm; nëse është fëmijë i prindit pensionist, dëshmi apo çeku i fundit i pensionit; nëse është fëmijë i prindit të papunë, dëshmi apo vërtetim nga Agjencia për Punësim se është person i papunë. Parashtruesi i kërkesës duhet të jetë babai apo kujdestari, gjegjësisht nëna apo kujdestari për shfrytëzimin e mbështetjes financiare në shumë prej 1,800 denarë për nxënësit e arsimit të mesëm, gjegjësisht 1,200 për nxënësit e arsimit fillor. Ministria e Arsimit dhe Shkencës kryen pagesat në baza mujore për 6 muajt për nxënësit që plotësojnë kushtet.
FITIM KRYEZIU
