Maqedoni
Kuvend, organet amë diskutojnë eurointegrimin e vendit
20.12.2023 16:00
Konkluza e Këshillit Evropian, udhërrëfyesit, reformat në sundimin e ligjit dhe në administratë ishin temat e seancës...

Konkluza e Këshillit Evropian, udhërrëfyesit, reformat në sundimin e ligjit dhe në administratë ishin temat e seancës së përbashkët të Këshillit Nacional për eurointegrime dhe Komisionit për Çështje Evropiane. Duke potencuar vlerësimin e BE-së për mbarimin me sukses të procesit të skriningut, zëvendëskryeministri për eurointegrime, Mariçiq, tha se jemi të gatshëm për fazën vijuese të negociatave, por paraprakisht duhet të përfundohet me detyrat, rrjedhimisht me ndryshimet kushtetuese. Shpalosi edhe angazhimet tjera ku duhet fokusuar vendi.
“Jemi të vetëdijshëm se puna më e madhe dhe më e vështirë, sidomos pas vlerësimit evropian për Këshillin Gjyqësor duhet të koncentrohet në këto fusha, në qoftë se duam të ndërtojmë shtet të drejtë që sigurisht hapëron deri në anëtarësimin e plotë. Po ashtu edhe lufta kundër korrupsionit duhet të jetë prioritet, e cila është e përfshirë në udhërrëfyes. Masat, përveç kornizës aktuale ligjore dhe implementimit, janë drejtuar edhe në përforcimin e pozicionit të institucioneve kryesore dhe kapaciteteve të tyre.”, - deklaroi zëvendëskryeministri për Eurointegrime, Bojan Mariçiq.
Se progresi në aspiratat eurointegruese ka ngecur nga mosimplementimi i ndryshimeve kushtetuese thotë edhe kryetari i Komisionit për Eurointegrime, Arbër Ademi. Bën thirrje për përshpejtimin e kësaj procedure, që sipas tij, nuk ka kohë për zvarritje të mëtutjeshme.
“Ne mund të hapim tema nga më të ndryshmet se cila është gjendja sa i përket shtetit ligjor, sundimit të së drejtës, luftës kundër korrupsionit, cili është kapaciteti institucional që e kemi, por këto nuk janë kushte. Kushti i vetëm janë ndryshimet kushtetuese. Më lejoni që të mos pajtohem me tezën që shtrohet në opinion se nuk ka nevojë të nxitohet në miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Përkundrazi një tezë e tillë është katastrofale.”, - theksoi kryetari i Komisionit për Çështje Evropiane, Arbër Ademi.
Për opozitën maqedonase me dosje që posedon shteti në fushën e drejtësisë nuk mund të lavdërohet përballë vendeve të unionit dhe për rrjedhojë, Bullagaria shfrytëzon rastin e vendosjes së kushteve ndaj nesh.
“Maqedonia këtu nuk ka me çfarë të lavdërohet. Për fat të keq, me vite në shtet korrupsioni lulëzon, ekonomia zhytet dhe kjo është një konstancë, që mund ta shohim dhe përbën atë që e them me vite dhe e them edhe tani se arsyeja kryesore pse Maqedonia nuk i fillon bisedimet me BE-në është niveli i lartë i krimit dhe korrupsionit.”, - u shpreh kryetari i Këshillit Nacional për Eurointegrime, Aleksandar Nikollovski.
Opozita mbetet në qëndrimin se problemet nuk mund të zgjidhen nga ata që i kanë krijuar dhe që nuk i pohojnë gabimet. Ftojnë në bashkëpunim parlamentar në përmbushjen e kushteve që i kërkon unioni për të vazhduar në aspiratat integruese.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
