Maqedoni
Gjykata Kushtetuese, stopohet grafi etnik në certifikata
20.12.2023 16:16
Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar përkohësisht dispozitën që në certifikatat e lindjes...

Gjykata Kushtetuese e ka ndaluar përkohësisht dispozitën që në certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes të shkruhet edhe përkatësia etnike deri në sjelljen e një vendimi përfundimtar për këtë çështje. Zëdhënësja e Gjykatës, Hristina Bellovksa, tha se gjykata shpreh dyshim për kushtetutshmërinë sa i përket neneve të parashtruara si kontestuese e që parashohin deklarimin e përkatësisë etnike që vlerësohet si ndjenjë e brendshme dhe private.
“Prej sot e deri në një vendim përfundimtar të gjykatës nuk guxohet nga qytetarët të kërkohen të këtilla të dhëna për etninë, shënimin e etnisë në certifikatat e lindjes, martesës dhe vdekjes, për shkak se është sjellë e ashtuquajtura “masë e përkohshme”.”, - deklaroi zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Bellovska.
Rubrikë për futjen e nacionalitetit në certifikata u prezantua me vendim të ministrit të Drejtësisë, Krenar Lloga, në maj të këtij viti. Në korrik, gjykata e ndërpreu përkohësisht këtë udhëzim, por nuk kishte shumicë për të marrë vendim. Udhëzimi në fjalë ishte sjellë, me qëllim për të shmangur keqpërdorimin e etnisë gjatë punësimeve, pasi që shpesh për të fituar një vend pune, pjesëtarë të një komuniteti të caktuar japin deklarime të rrejshme të përkatësisë së tyre etnike.
Iniciativa për Kushtetutshmërinë e këtij udhëzimi ishte ngritur nga partia e Majta. Nga pretendimet në iniciativë, thuhet se ndjenja e përkatësisë kombëtare është ndjenjë personale e qytetarit dhe nuk mund të vërtetohet me dokument publik, d.m.th. me një dokument të lëshuar nga një autoritet shtetëror, kryesisht për faktin se liria e shprehjes së kombësisë përfshin të drejtën për të ndryshuar ndjenjën e përkatësisë kombëtare dhe me futjen praktike të kolonës së kombësisë në certifikatat nga librat e lindjes - si regjistrat publikë, i jep fund ndjenjës së shprehur dikur kombëtare.
FLORIJE KAMBERI
