Maqedoni

Klinika e Terapisë Fizikale në Kozle u furnizua me pajisje për rehabilitim robotik

20.12.2023 16:33

Klinika Universitare për Terapi Fizikale dhe Rehabilitim në Kozle është furnizuar me pajisje të re bashkëkohore për rehabilitim robotik...

Klinika Universitare për Terapi Fizikale dhe Rehabilitim në Kozle është furnizuar me pajisje të re bashkëkohore për rehabilitim robotik me vlerë prej 58 milion denarësh, informoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti. Ai thekson se kjo pajisje do të përdoret për herë të parë në shëndetësinë publike dhe për një numër të madh pacientësh terapia robotike do të mundësojë rehabilitim më të shpejtë dhe më të mirë, veçanërisht për përmirësimin e funksionalitetit të ecjes së pacientit.
 
“Kjo lehtëson shumë lëvizjen e pacientëve me gjendje të ndryshme patologjike dhe është zhvilluar në bashkëpunim me qendrën e spitalit në Zvicër. Një pajisje e rehabilitimit robotik është menduar për terapi rehabilituese intensive të pacientëve me dëmtim të rëndë deri në mesatar të aftësisë për të ecur dhe lëvizshmërisë funksionale. Këto dëmtime në funksionet dhe aktivitetet trupore mund të shkaktohen nga sëmundje të ndryshme, si sëmundjet neurologjike, dëmtimet e trurit për shkak të goditjes ose traumës, dëmtimi i palcës kurrizore dhe paraliza cerebrale.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
 
Mexhiti po ashtu bëri të ditur se tenderi për sistemin KATO për përgatitjen e kompjuterizuar të citostatikëve në Klinikën e Onkologjisë do të shpallet deri më 5 janar dhe se do të sigurojnë 15 infermierë që do të punojnë në këtë sistem. Pak ditë para përfundimit të vitit, Mexhiti tha se ende nuk dihet nëse Qeveria do të sigurojë mjete financiare për zgjidhjen e statusit të mbi dy mijë punëtorëve shëndetësorë që punojnë me kontrata.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI