Botë

Kurti dhe Osmani: Serbia vazhdon të sfidojë sigurinë e Kosovës

21.12.2023 13:44

Sfida më e madhe e Kosovës për vitin 2023 ka qenë siguria në pjesën veriore e sfiduar nga grupe të organizuara nga Beogradi....

Sfida më e madhe e Kosovës për vitin 2023 ka qenë siguria në pjesën veriore e sfiduar nga grupe të organizuara nga Beogradi. Kështu deklaruan presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri, Albin Kurti, të cilët megjithatë theksuan se prezenca institucionale e Kosovës asnjëherë nuk ka qenë më e madhe se aktualisht në pjesën veriore.
 
“Kryefjala e këtij viti, e do të thoja edhe e dy viteve që shkuan, ka qenë shtrirja e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Po e përsëris edhe njëherë mirënjohjen tonë të thellë për policinë e RKS-së, Agjencinë për inteligjencë, të gjitha institucionet tona, të cilat kanë qenë të angazhuara në mënyrë që Kosova të shtrijë sovranitetin dhe të mbrojë kufijtë e saj.”, - deklaroi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu.
 
“Ne kemi pasur sfidë të madhe sa i përket sundimit të ligjit në veri të vendit, ku grupe të organizuara, të orkestruara nga Beogradi, janë përpjekur që t’i vënë në mbështetje politike krimet e tyre të organizuara. Njerëzit të cilët ne i njohim mirë nga kontrabanda dhe krimet e ndryshme gjatë këtyre viteve të pasluftës përnjëherë janë përpjekur të shfaqen si agjentë me kauza politike, por është e qartë se edhe vet popullsia atje nuk i ka mbështetur ata.”, - theksoi  kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
 
Duke u ndalur tek sulmi i 24 shtatorit në Banjskë të veriut të  Kosovës, Osmani dhe Kurti theksuan se ky sulm është dëshmi se Serbia ende nuk ka hequr dorë nga qëllimet hegjemoniste territoriale ndaj Kosovës. 
 
GYLTENE SINANI