Maqedoni
Pacientët me fibrozë cistike, Mexhiti: Ilaçi “Trikafta”, në dispozicion
21.12.2023 14:11
Ilaçi “Trikafta” ndodhet tashmë në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve....

Ilaçi “Trikafta” ndodhet tashmë në Klinikën Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve. Me 100 milionë denarë është siguruar terapi për muajt në vijim. Po ashtu, për ilaçin janë planifikuar 854 milionë denarë, për vitet 2024 dhe 2025, në mënyrë që në dy vitet e ardhshme të pajisen me terapi të sëmurët me fibrozë cistike, informoi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
“Pacientët me fibrozë cistike përfshihen gradualisht në terapi, sipas protokollit dhe kritereve të sakta të vlerësimit, vendoset që të marrin terapinë. Lista e pacientëve është bërë nga një komision ekspertësh, pas ekzaminimeve mjekësore të të gjithë pacientëve me fibrozë cistike, sipas pikëve të marra. Ilaçi "Trikafta" është një medikament i sigurt, i miratuar nga Agjencia Evropiane e mjekësisë. Efekti i terapisë është i shpejtë, domethënës dhe i qëndrueshëm. Në Evropë, ilaçi është terapi standarde për trajtimin e pacientëve me fibrozë cistike.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Fatmir Mexhiti.
“Terapia është siguruar për 12 pacientë dhe gradualisht do të përzgjidhen shtatë pacientë të rinj çdo 10 ditë. Përveç atyre 12 pacientëve që tashmë janë duke marrë terapi, janë edhe 55 persona të tjerë dhe se për të gjithë do të sigurohet terapi gjatë vitit 2024.”, - theksoi drejtoresha e Klinikës së Fëmijëve, Stojka Fushtiq.
Kryetari i Shoqatës me Fibrozë Cistike Fiki Gaspar tha se tashmë një numër i madh i prindërve dhe pacientëve do të jenë të qetë dhe nuk do të kenë frikë për jetën e tyre dhe të fëmijëve të tyre.
VLORA LATIFI TOPOJANI
