Botë
Vazhdojnë bombardimet mbi Gaza, dhjetëra të vrarë dhe qindra të plagosur
21.12.2023 14:27
Bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës në 24 orët e fundit kanë marrë jetën e dhjetëra personave...

Bombardimet izraelite mbi Rripin e Gazës në 24 orët e fundit kanë marrë jetën e dhjetëra personave, vetëm në Khan Jounis u vranë 55 palestinezë. Edhe në qytetin Rafah u vranë dhjetëra civilë. Po ashtu edhe sulmet që shënjestruan rajonin Jabalia në veri dhe pjesën qendrore të Rripit të Gazës, shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e shumë personave. Qindra palestinezë të plagosur kanë humbur jetën për shkak të mungesës së trajtimit mjekësor, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në Gaza. Gjithashtu, numri i vdekjeve masive vjen si pasojë e etjes dhe urisë, njoftojnë nga OBSh-ja.
“Është shumë e padurueshme të shohësh njerëz që janë tashmë viktima të konfliktit, të plagosur që janë strehuar dhe nuk kanë mundësi të kenë qasje në kujdesin shëndetësor, ku ata janë ulur, duke pritur të vdesin nëse diçka nuk ndryshon në mënyrë dramatike, që do t'i lejojë ata të mbijetojnë. Dhe kjo kërkon lëvizje të sigurt, kërkon një ngritje të madhe karburanti, kërkon ilaçe, furnizime mjekësore, burime njerëzore. Ata po vdesin çdo ditë nga uria. Ata po vdesin çdo ditë nga etja.", - deklaroi koordinatori i Ekipeve të Urgjencës Mjekësore të OBSh-së, Shon Kejsi.
“Unë dua të jetoj fëmijërinë time siç kemi jetuar më parë. Tani ndihemi të mbytur, nuk dimë ku të shkojmë. Sot nuk ka as ushqim, as ujë, nuk ka asgjë.", - u shpreh palestinezi i zhvendosur, Nizar Kahine.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken, se ShBA-ja dhe Izraeli janë të hapura për një pauzë të re humanitare në luftën Izrael-Hamas, por përsëriti se shqetësimet për aderimin e Hamasit ndaj pauzës mbeten.
“Çështja e pengjeve dhe një pauzë, kjo është diçka që do të donim shumë të ndodhte. Izraeli ka qenë shumë i qartë, duke përfshirë edhe sot, se do të mirëpriste kthimin e një pauze dhe lirimin e mëtejshëm të pengjeve. Problemi ishte, ka qenë dhe mbetet Hamasi.”, - theksoi sekretari i Shteteve të Bashkuara, Antoni Blinken.
Nga OKB-ja thonë se vazhdimi kaq gjatë i konfliktit brutal në Gaza do të mbetet si një njollë e përhershme në ndërgjegjen kolektive të botës, por kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu, thotë se nuk e ka në plan të ndalojë luftën pavarësisht thirrjeve për armëpushim.
"Ne vazhdojmë deri në fund, do të vazhdojë deri në shkatërrimin e Hamasit, deri në fitore. Kushdo që mendon se do të ndalemi është shkëputur nga realiteti.”, - theksoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanjahu.
Që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor, Izraeli ka vrarë mbi 20 mijë palestinezë, ndërsa janë plagosur mbi 52 mijë persona. Ndërkohë 1,500 izraelitë kanë humbur jetën në këtë konflikt.
FARIJE DAUTI BAKIJU
