Maqedoni

Fatkeqësia e autobusit në Llaskarcë, mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarve

21.12.2023 15:28

Me fjalët përfundimtare të mbrojtjes ka vazhduar procesi gjyqësor për fatkeqësinë e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë...

Me fjalët përfundimtare të mbrojtjes ka vazhduar procesi gjyqësor për fatkeqësinë e autobusit të “Durmo Turs” në Llaskarcë, ku humbën jetën 16 udhëtarë. Mbrojtja e dy të akuzuarve, Remzi Miftari dhe Igor Gjeorgjievski, kërkuan liri për të akuzuarit. Sipas mbrojtjes, asnjë dëshmi nuk ka vërtetuar akuzën. Duke u bazuar në deklaratat e palëve të dëmtuara, u tha se shoferi nuk ka frenuar dhe se fatkeqësia është si pasojë e faktorit subjektiv dhe jo veprim i këtyre të akuzuarve.
 
"Asnjë nga provat nuk do të thotë se plotëson thelbin e akuzës për të cilën ngarkohet. Ne po kërkojmë të shpallemi të pafajshëm sepse prokurori publik nuk ka dëshmuar përtej një dyshimi të arsyeshëm se ai ka kryer krimin.", theksoi avokatja, Suzana Abdurahimi.
 
"Në veprimet e tij nuk janë konsumuar të gjitha elementet thelbësore të krimit.", theksoi avokatja, Ruzha Tomeska.
 
Ndërkohë, prokurori publik, Darko Jakimovski, në fjalët përfundimtare të seancës së kaluar, kërkoi dënimin më të rreptë për të akuzuarit. Sipas tij, ka pasur pakujdesi në veprimet e të gjithë të akuzuarve dhe siç tha ai “kaosi i punës mund të sjellë pasoja të tilla apo të ngjashme”. Mbrojtja e të akuzuarit të parë, pronarit të kompanisë "Durmo Turs", Durmish Beluli, në fjalën përfundimtare kishte deklaruar se në procedurë nuk ka pasur prova për ndonjë veprim për të cilin akuzohet pronari i kompanisë.
 
Për pothuajse pesë vite nga aksidenti tragjik i 13 shkurtit të viti 2019, procedurë gjyqësore e shoqëruar me shumë dëshmi, ekspertiza dhe super ekspertiza, duket se rasti është në përfundim. Për rastin në fjalë, të akuzuar janë gjashtë persona, të cilët akuzohen për vepra të rënda penale kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion. Sipas nenit 300 paragrafi 2 i Kodit Penal, për të cilin akuzohen të akuzuarit, dënimi me burg është së paku katër vjet.
 
FLORIJE KAMBERI