Botë
Akuza e SPAK-ut mbi ish-kryeministrin, Kuvendi i hap rrugë arrestimit të Berishës
21.12.2023 16:34
Sali Berisha, një ish-president, ish-kryeministër, politikan që ka dominuar për 34 vite skenën...

Sali Berisha, një ish-president, ish-kryeministër, politikan që ka dominuar për 34 vite skenën politike shqiptare nuk e mbron më imuniteti nga arrestimi.
Në një seancë më pak se 9 minuta, Kuvendi miratoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme SPAK, të kërkuar arrest në burg ose arrest shtëpie për Berishën.
Edhe në këtë seancë nuk mungoi kaosi i krijuar nga Berisha. Flamur Noka më aktivi nga të gjithë, në dy momente goditi edhe punonjës të Gardës së Republikës, edhe pse më herët ka qenë ministër i Brendshëm.
Kryeparlamentarja Nikolla thirri emrin e Sali Berishës për të folur dhe për të mbrojtur veten, por ai nuk pranoi, duke kërkuar largimin e gardës.
Përpjekjes kundër arrestit, Berisha i bashkoi edhe një protestë para Kuvendit, të cilës iu përgjigjën vetëm një grup militantësh në më pak se 60 minuta grumbullim, ku u shfaq edhe vajza e tij, Argita Malltezi. Pas votës në Kuvend, protestës iu bashkua Berisha, i cili foli pak minuta dhe militantët i shpërndau shpejt dhe iu drejtua zyrës së tij në seli.
“Ju e patë se cili ishte ligji dhe cilido që lexon procedurën, sheh një bandë antikushtetuese në veprim. PD do të marrë çdo masë për t’i dhënë përgjigjen e merituar Edi Ramës. Bisedat provat e nuk mund të jenë objekt. O sot o kurrë, nuk kam sekret unë.”, tha Berisha.
Opozita, përfshirë edhe Ilir Metën, e cilësuan një lëvizje politike për të asgjësuar opozitën.
“Votimit i sotëm shënon përshkallëzim të përpjekjeve për asgjësimin opozitës vendim antikushteues që kërkon të ktheje kohën e partisë shtet. Është pjesë e një programi për eliminimin e opozitës dhe instalimin e një opozite fasadë që i bën fresk dhe shërbime këtij regjimi dhe e dini që vetëm pak ditë më parë u ndryshua në mënyrë të njëanshme rregullorja e Kuvendit. Është një akt antikushtetues që synon asgjësimin e parlamentarizmit. Këto ndryshime e kthejnë rregulloren në mjet arbitrar në duart e mazhorancës për të ndëshkuar deputetët të opozitës dhe për të eliminuar përfaqësimin në parlament. Edhe ndryshimet që u bënë në ligjin e organizimit e Komisioneve Hetimore synojnë për të minuar llogaridhënie dhe transparencës”, tha Meta.
Edhe ajo që mund të ishte një pengesë për autorizimin e arrestit të Berishës, padia në Kushtetuesen e 30 deputetëve të Rithemelimit të Bardhit, të mërkurën u refuzua të merret në shqyrtim.
LULJETA NDOKA
