Maqedoni

Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor, Halili-Abdiu: Mundësi, por edhe obligim

21.12.2023 16:56

Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor për reformat është një mundësi e mirë për t’u afruar me BE-në...

Plani i rritjes së Ballkanit Perëndimor për reformat është një mundësi e mirë për t’u afruar me BE-në dhe për t’u zhvilluar ekonomikisht, por njëkohësisht deri te thithja e këtyre fondeve duhet punë dhe projekte konkrete që duhet dorëzuar në Komisionin Evropian, thonë nga Sekretariati për Eurointegrime. Ky projekt, sipas zëvendëskryenegociatores me BE-në, Drita Abdiu-Halili nuk është i lidhur me kushtet e brendshme politike.
 
“Në përkthim apo vija të shkurtra, kjo është një agjendë reformuese. Që të impelementohen ato reforma, do të propozojmë projekte konkrete, të cilat më pas mund t’i financojmë nga ky mekanizëm i ri që është jashtë mekanizmave ekzistues. Ne këtë e shohim shumë pozitiv. Do të kërkojë shumë punë nga ne si shtet dhe Qeveri që në përgjigje qytetarët të kenë përfitime. Nuk ka kushte formale dhe joformale. Ndryshimet kushtetuese nuk janë kusht.”, - deklaroi zëvendëskryenegociatorja për Eurointegrime, Drita Abdiu Halili.
 
Kacarska: Mbështetje jashtë procesit aderues
 
Projektet e propozuara duhet të jenë të agjendës reformuese dhe komplementare me aderimin. Instituti për Politika Evropiane e sheh si një mundësi të mirë për zhvillim rajonal.
 
“Vetë plani ka nivel të lartë kushtëzues me reformat dhe me sundimin e ligjit  që për ne si sektor civil është me rëndësi të madhe dhe shpresoj se mund ta shfrytëzojmë si mjet  për presion të reformave  dhe për ndërtimin e brendshëm të konsensusit. Në këtë situatë kur ndodhemi para hapit të dytë të negociatave, presim që ky plan gjithashtu  të jep impuls për kushtet e reformave pa të cilat nuk mund t’i shfrytëzojmë mjetet tutje.”, - theksoi Simonida Kacarska nga Instituti për Politika Evropiane.
 
Mjetet do të destinohen në projektet më të qëndrueshme dhe do të kapin sferën e  digjitalizimit, infrastrukturës, agjendës së gjelbër dhe tjera, thanë folësit. Përkujtojmë se Plani  i rritjes së Ballkanit Perëndimor kap vlerën prej 6 miliardë euro, 2 miliardë  prej tyre do të shfrytëzohen si grante dhe 4 miliardë të tjerë, me mundësi kthimi me kushte të volitshme. Përafërsisht  860 milionë euro do të jenë në dispozicion të Maqedonisë së Veriut.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU