Maqedoni

Anulohet greva e kontrollorëve të fluturimit, linja ajrore do të funksionojë pa ndërprerje

21.12.2023 17:18

Të gjithë ato që kanë planifikuar të udhëtojnë për fundvit në Maqedoni të Veriut...

Të gjithë ato që kanë planifikuar të udhëtojnë për fundvit në Maqedoni të Veriut, mund të caktojnë biletat e tyre, pasi Sindikata e kontrollorëve të fluturimeve nuk do të mbajnë grevë. Sindikata në mbledhjen e sotme ka vendosur të pranojë shpalljen e punësimit që e ka kontestuar, për shkak të disa pozitave që i konsideron si  jothelbësore.
 
“Arsyeja e parë e anulimit të grevës është që të shihet siç qëndron edhe në marrëveshjen kolektive, mënyra e selektimit të të punësuarve, përkatësisht e të punësuarve në këtë konkurs, tjetra është situata e re e krijuar, ku kemi tetë studentë kontrollorë, të cilëve ende nuk u është vazhduar marrëveshja, u skadon në fund të vitit dhe ende nuk është kërkuar nga ministria për vazhdimin e marrëveshjes. Dhe arsyeja e fundit është se ne kemi shumë njerëz që jetojnë jashtë vendit dhe turistë që duan ta vizitojnë Maqedoninë e Veriut dhe prandaj e ndërpresim, përkatësisht e anulojmë grevën.”, - theksoi Edmond Kaliqi nga Sindikata e Kontrollit të Fluturimeve. 
 
“Do ta ndjekim konkursin, do të jemi pjesë e selektimit, do të kontrollojmë procedurat e selektimit, do të shohim nëse do të ketë parregullsi në atë pjesë. Nëse kandidatët që do të pranohen për punët jothelbësore, pra nëse vërtetohet se do të punësohen ato për të cilët kemi dyshime se është kurdisur konkursi, atëherë do të jetë vetëm vërtetim se drejtorët kanë gënjyer opinionin.”, - u shpreh  Aleksandar Tasevski nga Sindikata e Kontrollit të Fluturimeve. 
 
Përndryshe greva ishte paralajmëruar nga sindikalistët në kontrollin e fluturimeve, të revoltuar për punësime të kuadrove pa kualifikime, me çka, sipas tyre rrezikohet siguria e komunikacionit ajror. Në takimin e dy ditëve më parë, ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, kërkoi nga Sindikata që të mos zbatohet vendimi për ndërprerjen e punës, sepse siç sqaroi ministri, procedurat administrative në M-NAV nuk guxojnë të ndikojnë në profesionalizmin e kompanisë në drejtim të rrjedhës normale të trafikut ajror në vend. 
 
ERSAN PAJAZITI