Maqedoni

Kumanovë, plan për ndërtimin e gjimnazit “Sami Frashëri”

21.12.2023 18:02

Në praninë e përfaqësuesve të Komunës së Kumanovës, deputetëve të zonës...

Në praninë e përfaqësuesve të Komunës së Kumanovës, deputetëve të zonës, këshilltarëve komunal dhe mysafirëve të tjerë, në Kumanovë është prezantuar Plani për ndërtimin e Objektit të Gjimnazit “Sami Frashëri”, për të ndërtimin e të cilit tashmë është siguruar edhe leja e ndërtimit. Planin e paraqiti arkitektti, Skender Osmani, pronar i Ndërmarrjes “URBAN ING”, nga Kumanova, i cili planin e ka përgatitur si donacion.
 
“Projekti e ka marrë lejen e ndërtimit më 6 dhjetor dhe presim të bëhet i plotfuqishëm, tani pritet vetë se edhe MASh-i ta mbajë fjalën për sigurimin e mjeteve dhe mund të fillohet ndërtimi i këtij objekti. Objekti ka 1,900 m2 një bazë, ka 4 etazhe, bodrum, përdhese dhe dy kate. Në përgjithësi janë 10 klasa me një kat, d.m.th. 4 kate me gjithsej 40 klasa nga 51 m2 sipërfaqe e klasave, ka 19 kabinete. Janë munduar inxhinierët e “URBAN ING” ta bëjnë sipas fjalës së fundit, që është njëkohësisht donacion për qytetarët shqiptarë të Kumanovës.”, - theksoi arkitekti, Skender Osmani. 
 
Ndërtimin e këtij objekti e përshëndetën edhe drejtuesit e Gjimnazit “Sami Frashëri” dhe shkollës së mesme teknike, paralelet në gjuhën shqipe “Nace Bugjoni”.
 
“Duke iu falënderuar pushtetit lokal arritëm që së paku të kryhet faza e parë e këtij objekti, objekt kapital dhe më se i nevojshëm për qytetin e Kumanovës.”, - deklaroi ndihmës drejtori i ShMK “Nace Bugjoni”-Kumanovë, Ragmi Alia.
 
“Me hapa më dinamikë të punohet sa më shpejt të jetë e mundur që të hyjmë në këtë objekt që na u prezantua në formë 3D. Nxënësit dhe profesorët e gjimnazit mezi e presin shkollën e tyre të re të cilën e meritojnë shumë.”, - u shpreh mes tjerash drejtori i ShMK “Sami Frashëri”-Kumanovë, Nagri Rexhepi. 
 
Ndryshe fjalën e fundit për ndërtimin e këtij objekti, i cili do të kushtojë rreth 8 milionë euro, pritet ta japë Qeveria, respektivisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Kurse realisht, nëse gjithçka shkon ashtu siç duhet, ndërtimi i të njëjtit pritet të zgjasë rreth 2 vite.
 
FATLUM AQIFI