Maqedoni

Gostivar, AMPS-ja ndau pajisje nga prona e konfiskuar

21.12.2023 18:24

Agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar sot i ka dhuruar Komunës së Gostivarit...

Agjencia për menaxhimin e pasurisë së sekuestruar sot i ka dhuruar Komunës së Gostivarit disa pajisje dhe makineri, skuterë, inventerë, si dhe uniforma punëtorësh, për nevojat e Ndërmarrjes Publike për parkingje dhe gjelbërim. Dorëzimi i mallit, i cili ka ardhur nga konfiskimi, është bërë nga drejtori i agjencisë, Driton Nebiu dhe kryetari i komunës, Arben Taravari.
 
“Drejtori është duke bërë një punë të jashtëzakonshme, jo vetëm për Gostivarin, por edhe për qytetet tjera. Bëhet fjalë për prona të konfiskuara personave të caktuar, kompanive, të cilat në këtë mënyrë më pas u kthehen qytetarëve. E mirëpres punën e tij, mendoj se është shumë e guximshme që t'u hiqet prona politikanëve të caktuar, njerëzve që kanë bërë keqpërdorime dhe t'u vihet në dobi komunave, shkollave, ndërmarrjeve publike dhe institucioneve që kanë nevojë”, tha kryetari, Taravari.
 
Nga ana tjetër, drejtori Nebiu theksoi se në përputhje me kompetencat e saj ligjore, agjencia kryen kthimin e vazhdueshëm të pasurisë së konfiskuar të qytetarëve.
 
“Ne bëjmë donacione çdo ditë në të gjitha komunat, nuk bëjmë përzgjedhje, as partiake e as kombëtare. Dje ishim në Berovë, ishim edhe në Mogillë të Strumicës dhe do të vazhdojmë aktivitetet tona edhe në të ardhmen. Nuk ka komunë ku ne nuk do të dhurojmë, por sigurisht na duhet kohë.”, tha drejtori.
 
Në kuadër të donacionit janë siguruar edhe disa kompjuterë dhe monitorë, të cilët do të shpërndahen nëpër shkolla.
 
LULZIM AZIRI