Futboll

Drejtuesit e Superligës: Monopoli i UEFA-s ka mbaruar, futbolli është i lire

21.12.2023 14:00

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) shprehu opinionin e saj për çështjen e Superligës Evropiane...

Gjykata Evropiane e Drejtësisë (GJED) shprehu opinionin e saj për çështjen e Superligës Evropiane: “Rregullat e FIFA-s dhe UEFA-s janë të paligjshme”. Pra, data e 21 dhjetorit 2023 hyn me të drejtë mes atyre me natyrë epokale për sa i përket botës së futbollit.
 
Gjykata e Drejtësisë ka dekretuar shkeljen e rregullave të Bashkimit Evropian për konkurrencën nga UEFA dhe FIFA. Për gjyqtarët, dy organet e futbollit kanë ushtruar “një shpërdorim të pushtetit dominues” ndaj klubeve, të cilët nuk mund të sanksionohen në rast pjesëmarrjeje në një turne alternativ, pra jo të organizuar nga UEFA dhe FIFA.
 
Kjo është një dritë jeshile e mundshme për Superligën. Një grup prej 12 skuadrash evropiane të futbollit, përmes kompanisë spanjolle ‘European Superleague Company’, donin të krijonin një projekt të ri garash futbolli, Superligën.
 
FIFA dhe UEFA e kundërshtuan projektin, duke kërcënuar se do të vendosnin sanksione ndaj klubeve dhe lojtarëve që merrnin pjesë në të. Kompania Evropiane e Superligës ka ngritur padi kundër FIFA-s dhe UEFA-s në Gjykatën Tregtare të Madridit, Spanjë, duke pretenduar se rregullat e tyre për miratimet e turneut dhe shfrytëzimin e të drejtave tregtare janë në kundërshtim me ligjin e Bashkimit Evropian.
 
“A22 Sports”, kompania promotore e Superligës, shprehu opinionin e saj për vendimin e BE-së përmes shefit ekzekutiv të saj Bernd Reichart: “Ne kemi fituar të drejtën për të konkurruar. Monopoli i UEFA-s ka mbaruar. Futbolli është i lirë. Tani klubet nuk do të vuajnë më nga kërcënimet dhe sanksionet. Ato janë të lirë të vendosin për të ardhmen e tyre. Për tifozët do t’i transmetojmë të gjitha ndeshjet e Superligës falas. Për klubet, të ardhurat dhe pagesat e solidaritetit janë të garantuara”.