Maqedoni
Rasti “Montra”, familjarët kërkojnë nga LSDM të zbardhen xhirimet
25.03.2015 14:35
Këshilli Organizativ për rastin “Monstra” kërkon ndihmën e LSDM-së për të zbardhur vrasjen në Smillkovc dhe, siç thonë ata...

Këshilli Organizativ për rastin “Monstra” kërkon ndihmën e LSDM-së për të zbardhur vrasjen në Smillkovc dhe, siç thonë ata, të nxjerrë në shesh drejtësinë për të afërmit e tyre që mbahen pafaj në burg.
Familjarët janë thellë të bindur se ky është një proces krejt i montuar dhe më së paku ka lidhje me ata që sot janë të dënuar me burg të përjetshëm.
“Nëse Ju sot i posedoni të gjitha këto informacione, ne kemi bindje se edhe informacionet në lidhje me rastin “Monstra” duhet të jenë pjesë e bisedimeve që janë bërë nga zyrtarët shtetërorë, të cilët ne i konsiderojmë montues të këtij procesi. Shpresa e fundit për familjet e fëmijëve të vrarë në liqenin e Smillkovës dhe ne familjarët e të dënuarve me burg të përjetshëm, që të gjejmë prehje në shpirtrat tanë të vrarë dhe të lënduar, qëndron në publikimet e materialeve që ju duhet t’i posedoni”- thuhet në letrën e Këshillit Organizativ për Zbardhjen e rastit “Monstra” drejtuar LSDM-së.
Nga ky këshill inkurajojnë LSDM-në në publikimin e materialeve, që edhe ky rast i montuar të demontohet, të dalë në shesh e vërteta e rastit, të demaskohen kriminelët e vërtetë dhe të shpëtojnë ata që janë viktima të krimeve të tyre, thuhet në letër.
Nga LSDM-ja, më herët, disa herë kanë potencuar se kanë audio-xhirime edhe për rastin “Monstra”, por në “bombat” e fundit lideri i LSDM-së, Zaev, potencoi se e vërteta mbi këtë rast do të zhgënjejë shumë njerëz që shpresojnë diçka tjetër.
VLORA LATIFI-TOPOJANI
