Botë

Ende mister rrëzimi i avionit A320, 8 minuta tmerri, nuk u dërgua asnjë sinjal për ndihmë

25.03.2015 14:41

Mbetet ende mister arsyeja e rrëzimit të avionit gjerman në Alpet franceze...

Autoritetet e kanë quajtur aksidentin si më i rëndë në dekada të tëra. Kutia e zezë e avionit “Airbus A320” është gjetur dhe ajo duhet të zbardhë tani misterin. Asgjë nuk ka mbetur në majë të Alpeve, vetëm trupa të vdekur dhe copat e shkatërruara të avionit.
 
Operacioni i kërkimit ka rinisur, por terreni i thyer malor i vështirëson së tepërmi përpjekjet e gjetjes së pjesëve të “Airbusit” të copëtuar, ndaj zyrtarët paralajmërojnë se mund të zgjasë për disa ditë. 
 
“Është hera e parë në historinë tonë 6 vjeçare që humbasim një avion gjatë fluturimit. Ka bashkëpunim të shkëlqyer mes autoriteteve gjermane dhe franceze, dhe të gjithë po kërkojmë vendin e rrëzimit të avionit”- deklaroi zëdhënësi i “Lufthansas”, Carsten Spohr.
 
Informacionet fillestare flisnin se pilotët kishin dërguar thirrje për ndihmë, por me kalimin e orëve u bë e qartë se një kërkesë e tillë nuk kishte mbërritur kurrë. Dhe pikërisht kjo intrigon ekspertët e fushës. 
 
Avioni është ngritur nga Barcelona në 9 të mëngjesit, me orën lokale. Për një arsye ende të pakuptueshme, ai papritur nis të ulë shpejtësinë e të humbë lartësinë, pastaj vjen rënia e frikshme për 8 minuta të gjata. Kontakti me radarët francezë humbi në 9 e 53 minuta. Përplasja me tokën ishte aq e fortë, sa depozita e karburantit, praktikisht, është shpërbërë e tëra.
 
Zyrtarët besojnë se 67 prej personave në bord ishin gjermanë, përfshirë 16 nxënës që ktheheshin nga një udhëtim shkëmbimi eksperience në shoqërinë e dy mësuesve.
 
Adoleshentët ishin vonuar e mund ta kishin humbur fluturimin, por falë një gjesti mirësie, u lejuan të ngjiten në avion. Mbi 40 pasagjerë besohet të kenë qenë spanjollë, të tjerët ishin australianë, turq, danezë, holandezë dhe belgë, në bord mund të ketë pasur edhe disa anglezë.
 
Mes të vdekurve janë edhe këngëtarët, Oleg Bryjak dhe Maria Radner, që ktheheshin nga një koncert.   
 
“Tani është e rëndësishme të jemi pranë atyre që humbën të afërmit. Por, e rëndësishme është gjithashtu që të gjithë avionët tanë të ngrihen prej sot në fluturim edhe pse më treguan se ka kolegë që kane frikë të fluturojnë. Kjo fatkeqësi tejkalohet nëse jemi të bashkuar”- tha Spohr.
 
Fatkeqësia e djeshme ishte rrëzimi i parë i një avioni të madh pasagjerësh në tokën franceze në 15 vitet e fundit pas fatkeqësisë me një avion konkord në vitin 2000 dhe fatkeqësia e tretë e madhe që përfshin një A320.
 
Fatkeqësia më e madhe ajrore në botë mbetet ajo e 27 marsit 1966, kur dy boingë u rrëzuan në Tenerife, duke lënë të vdekur 583 njerëz dhe ajo e gushit 1985, kur një boing japonez u përplas në faqen e një mali, duke lënë 520 të vdekur.
 
LEUNORA KALIQI