Botë

Masakra në Çeki ishte e paralajmëruar

22.12.2023 11:58

Policia në Pragë po heton një lidhje të mundshme mes autorit të masakrës së djeshme ....

Policia në Pragë po heton një lidhje të mundshme mes autorit të masakrës së djeshme dhe një sërë mesazhesh me përmbajtje dhune në gjuhën ruse në “Telegram”. 24-vjeçari, David Kozak, hapi zjarr nga kati i katërt i një ndërtese pranë universitetit “Charles”. Mediat e huaja  shkruajnë se armën me të cilën vrau 14 persona e plagosi 25 të tjerë e kishte të ligjshme.

Studenti i cili ka shkaktuar masakrën më të tmerrshme në historinë e Republikës Çeke, i kishte dhënë sinjalet më parë. Bazuar në hetimet e deritanishme, ai kishte paralajmëruar në Telegram se kishte dashur gjithnjë të kryente një vrasje masive. Në një nga mesazhet e shumta të kësaj natyre, David shkruante më 10 dhjetor të këtij viti se inspirimi i tij ishte Alina Afanaskina. Kjo e fundit, një vajzë ruse hapi zjarr ndaj shokëve të klasës pak kohë më parë.
 
“Jam inspiruar shumë nga Alina, tej mase. Ajo vrau vetëm dy nxënës, sigurisht nuk janë shumë. Gjithnjë kam dashur të bëhem një maniak në të ardhmen.”, thuhej në mesazh.
 
E çuditshmja është se ai ishte ekselent në mësime me asnjë rekord kriminal të mëparshëm. Nuk është ende e qartë se çfarë e ka shtyrë të riun të kryejë akte të tilla çnjerëzore. Duke qenë se David vdiq gjatë shkëmbimit të zjarrit me efektivët, motivi do të mbetet gjithnjë një mister. Të shtunën shpallet  ditë zie kombëtare për nder të viktimave të të shtënave masive në Universitetin “Charles” në Pragë,  një incident i paprecedentë në historinë e vendit.