Maqedoni

Këshilli i Prokurorëve, Sonja Simovska zgjidhet u.d. kryeprokurore

22.12.2023 13:29

Nëntë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik njëzëri votuan që Sonja Simovska...

Nëntë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publik njëzëri votuan që Sonja Simovska të jetë ushtruese e detyrës, pas skadimit të mandatit gjashtë vjeçarë të kryeprokurorit, Ljubomir Jovevskit, më 25 dhjetor. Simovska vjen nga Prokuroria Republikane, ndërsa do t'i kryejë detyrat e Jovevskit deri në zgjedhjen e prokurorit të ardhshëm, procedurë e cila kalon përmes Qeverisë dhe përfundon në Kuvend. Simovska erdhi me propozim të kryetares së Këshillit, Dushica Dimitrieska.
 
“Bëhet fjalë për një prokurore publike, e cila ka përvojë shumëvjeçare, në profesionin e saj është dëshmuar si profesioniste e vërtetë, e njeh mirë gjendjen në Prokurorinë Publike Republikane dhe duke pasur parasysh përvojën, mund ta kryejë me sukses funksionin deri në emërimin e kryeprokurorit.”, - deklaroi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrieska.
 
Shpallja për zgjedhjen e kryeprokurorit u publikua më 29 nëntor dhe zgjati 15 ditë. Për të aplikuan tre prokurorë: Fatime Fetai, Lidija Raiceviq dhe Ljupço Kocevski. Më 19 dhjetor, Qeveria i ka dërguar kandidaturat e tyre për mendim në Këshillin e Prokurorëve Publikë. 
 
“Kërkesa për dhënien e mendimit ka arritur në Këshillin e Prokurorëve Publikë. Afati i paraparë me ligj është 15 ditë që Këshilli të japë një mendim të arsyetuar, qoftë pozitiv apo negativ në formë të shkruar për secilin nga kandidatët që i plotësojnë kushtet. Janë paraqitur tre kanditatë. Pas shqyrtimit të kërkesës, Këshilli do ta respektojë afatin dhe do ta jap mendimin në Qeveri.”, - theksoi kryetarja e Këshillit të Prokurorëve, Dushica Dimitrieska.
 
Kandidatët për të cilat Këshilli do të japë mendim pozitiv, Qeveria do të duhet të zgjedhë një dhe t'ia propozojë Kuvendit, i cili më pas do të zgjidhet në seancë plenare me shumicë votash. Nëse nuk zgjidhet Prokurori Republikan para zgjedhjeve, të cilat sipas marrëveshjes politike duhet të zhvillohen më 8 maj, ndërsa Parlamenti do të shpërndahet më 28 shkurt, atëherë këtë detyrë do ta ketë përbërja e re parlamentare. 
 
FLORIJE KAMBERI