Botë
Radev: Bullgarët të njihen si komunitet në Kosovë
22.12.2023 14:30
Bullgaria kërkon që bullgarët të njihen si komunitet në Republikën e Kosovës....

Bullgaria kërkon që bullgarët të njihen si komunitet në Republikën e Kosovës dhe të inkuadrohen në Këshillin për komunitete në presidencë. Këtë qëndrim e paraqiti presidenti bullgar, Rumen Radev, pas takimit në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
“Së pari bullgarët të njihen si komunitet dhe të kërkohen hapa praktik në bazë të ligjit mbi komunitetet dhe bullgarët të inkuadrohen si zgjidhje politike në Këshillin e komuniteteve pranë presidentit të Republikës. Besoj se ky hap do të jetë shumë i rëndësishëm dhe duhet të falënderojë presidenten Osmani për angazhimin e saj personal dhe për garancitë që dha që gjatë regjistrimit të popullsisë në Kosovë të mbahen parimet e transparencës, objektivitetit, në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare.”, - deklaroi presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev.
Osmani: Kosova nuk e kufizon të drejtën e vet identifikimit
Lidhur me kërkesën bullgare, presidentja Osmani tha se Kushtetuta e Kosovës e garanton të drejtën e vet përcaktimit etnik.
“Kosova është vend multietnik dhe Kushtetuta e saj përcakton se Kosova përbëhet nga shqiptarët dhe komunitetet e tjera, pra nuk ka kufizim dhe nuk ia parandalon askujt që të tregojë se si çka vetë identifikohet, cilit komunitet i takon, si çka ndihet. Parimi i vet identifikimit është parim i njohur ndërkombëtar dhe Kosova do të zbatojë standardet më të larta ndërkombëtare për mbrojtjen e të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sa i përket aspektit ligjor, Osmani sqaroi se Kushtetuta dhe ligjet me interes vital, ku bën pjesë edhe ligji për të drejtat e komuniteteve ndryshohen me shumicë të dyfishtë, që do të thotë se përveç votave të deputetëve shqiptar nevojiten edhe votat e minoriteteve përfshirë komunitetin serb, por këta të fundit aktualisht bojkotojnë punën e Kuvendit. Presidentja Osmani në takimin me presidentin bullgar, Radev, ka kërkuar përkrahjen e Bullgarisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, pasi siç vlerësoi ajo, vetëm anëtarësimi i të gjitha shteteve të Ballkanit në NATO mund të sjellë paqe në rajon.
GYLTENE SINANI
