Maqedoni
Qytetarët thithin ajër të ndotur, partitë akuzojnë njëra-tjetrën
22.12.2023 15:14
Shkupi ndër vite është një ndër qytetet më të ndotura në botë...

Shkupi ndër vite është një ndër qytetet më të ndotura në botë. Përderisa qytetarët po thithin ajër të ndotur me grimca PM10 që janë të dëmshme për shëndetin e njeriut, partitë politike po përplasen mes vete dhe assesi të zgjidhin problemin.
“Derisa qytetarët thithin ajër helmues me grimca PM10, kryetarët e DPMNE-së nuk bëjnë asgjë, nuk ka asnjë masë për uljen e ndotjes aktuale, e lëre më zgjidhje afatgjata për t'u përballur me ndotjen në Shkup. Kryetarët e DPMNE-së janë të interesuar për tenderë, provizione, orë të shtrenjta, ndërsa qytetarët për ta janë në fund.”, thonë nga LSDM-ja.
Ndërkohë VMRO-DPMNE-ja ka akuzuar LSDM-në se për 7 vite nuk ka bërë asgjë në këtë drejtim.
“Ballafaqimi me ndotjen dhe ajrin e ndotur që premtoi LSD-ja duhet të pastrohet me përpjekje të përbashkëta të pushtetit qendror dhe atë lokal. LSDM-ja është një parti që ka 7 vite në pushtet dhe nuk ka ngritur gishtin. Ata nuk duhet ta ndërtojnë lumturinë e tyre mbi pakënaqësinë e të tjerëve.”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
Edhe në qytetin e Strumicës është regjistruar rritje e grimcave PM10. Një ndër kontribuesit për nivelin e lartë të ndotjes, pushteti lokal e sheh në kapacitetet e industrisë.
“Nga analizat e deritanishme që bëhen nga Ministria e Ambientit Jetësor dhe ne si komunë supozojmë se ndotja më e madhe vjen nga amvisëritë, mendohet në 50 për qind. Ajri i ndotur deri në orën 15:00 është në nivel më të ulët dhe pas orës 15:00 shohim se vlerat rriten. Kjo tregon se kapacitetet e industrisë pas orës 15:00 veç më mbyllen, nuk punojnë dhe hyjnë në përdorim amvisëritë që fillojnë të ngrohen dhe kjo tregon që amvisëritë janë ndotësit më të mëdhenj.”, - deklaroi Zorica Martinova nga Komuna e Strumicës.
Nga dje kanë hyrë në fuqi rekomandimet e Ministrisë së Ambientit Jetësor dhe Ministrisë së Shëndetësisë për qytetarët e komunës së Strumicës, që nënkuptojnë të gjithë punëdhënësit t’i lëshojnë gratë shtatzëna, personat mbi 60 vjeç, si dhe personat me sëmundje kronike.
VLORA LATIFI TOPOJANI
