Maqedoni

KShZ, Zendeli: Xhaferi mos të pengojë procesin

22.12.2023 15:36

Kompletimi i KShZ-së as sot nuk u vendos në seancë plenare.....

Kompletimi i KShZ-së as sot nuk u vendos në seancë plenare. Reagoi deputeti, Fadil Zendeli, i cili tha se vendi i vetëm vakant i takon opozitës shqiptare, gjegjësisht kandidatit të tyre, Abdush Demiri. Zendeli akuzoi Xhaferin se po obstruon procesin.
 
“Nëse ne vazhdojmë me zhvatjen e kësaj natyre me një obstruksion, i cili është i qartë se i bëhet këtij procesi brenda Kuvendit dhe procedurave të Kuvendit për të cilën përgjegjësinë më të madhe e bart kryetari i Kuvendit, për shkak se ai është personi i cili duhet t’i menaxhojë këto procese, atëherë çfarë porosie u drejtojmë ne qytetarëve. I bëj apel kryetarit të Kuvendit, që mos të marrë mëkate me vete me obstruksionin të cilin deri tani i ka bërë këtij procesi.”, - deklaroi deputeti i Lëvizjes “Besa”, Fadil Zendeli.
 
Xhaferi: Kompetencat e mia kanë mbaruar
 
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, me arsyetimin se ka përmbyllur procedurat në kuadër në kompetencave të tij dhe nuk ka parakushte që të vë në rend dite kërkesën e opozitës për të kompletuar KShZ-në.  
 
“Nuk ka material çfarë të vë në votim për kërkesën, prandaj për atë arsye nuk ka votim. Material nuk ka, sepse procedura është e përshkuar në rregullore dhe atë 120 deputetë e dinë. Kanë filluar fushatë që sot për zgjedhjet e 2024-ës, nuk kam çfarë të bëj unë, atë nuk e pengoj absolut! Fushatën bëjeni! Ti me procedurë nuk ke parakushte për atë që e kërkon.”, - theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi.
 
Stojanovska: Komisionet, me ushtarë partiak
 
Deputetët e VMRO – DPMNE-së lëshuan sallën për të mos formuar kuorum për ligjet e shumicës parlamentare, por më pas ndërruan mendje për t’u rikthyer punimeve. Deputetja e VMRO-së, Dafina Stojanovska, me akuza se pushteti nis partizimin shtesë të institucioneve, sikurse kompletimin e më shumë komisioneve. 
 
“Realiteti me sundimin e LSDM-së dhe BDI-së është ndryshe. Për ata nuk është me rëndësi kualifikimi i kandidatëve, por pazari i tyre i koalicionit është duke mbushur komisionet me ushtarë partiak.”, - u shpreh deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska.
 
Nga VMRO-DPMNE-ja paraprakisht nuk kanë përjashtuar mundësinë që përfaqësues të tyre të lëshojnë KShZ-në, nëse vendi i lirë nuk i jepet opozitës shqiptare. Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët pretendon se vendi vakant u takon atyre.
 
MERAL ISMAILI