Basketboll

Oklahoma vazhdon me serin e fitoreve

25.03.2015 14:57

Oklahoma City Thunder fluturon me Rusell Westbrook. Pikëshënuesi më i mirë i këtij sezoni në Nba realizoi 27 pikë...

Oklahoma City Thunder fluturon me Rusell Westbrook. Pikëshënuesi më i mirë i këtij sezoni në Nba realizoi 27 pikë teksa ndihmoi të tijët edhe me 11asiste në fitoren e Oklahomas 127-117 përballë Los Angeles Lakersave.
 
Vijon në këtë mënyrë ecuria pozitive për skuadrën e drejtuar nga trajneri Scott Brooks edhe pse Oklahoma prej një kohe shumë të gjatë vuan mungesën e yllit të saj Kevin Durant për arsye dëmtimi.
 
Përballë një Los Angeles Lakers gjithnjë e më shumë në krizë City Thunder koleksionuan suksesin e 4-t radhazi duke konsoliduar pozitat e tyre në vendin e 8-të të konferencës së Perëndimit që është edhe pozicioni i fundit që të kualifikon në fazën Play-Off.
 
Jordan Clarkson ndaj Oklahomas zhvilloi ndoshta paraqitjen e tij më të mirë në karrierë duke e mbyllur sfidën  me 30 pikë të realizuara por dicka e tillë nuk i mjaftoi kalifornianëve për të evituar disfatën e 51-të sezonale. 
 
Në sfidat e tjera të Nba spikat suksesi i 7-të radhazi i Golden State Warriors. Kryesuesit e konferencës së Perëndimit treguan gjithë potencialin e tyre edhe përballë Portland Trail Blazzers duke i mposhtur këta të fundit brenda në Oregon me rezultatin 122-108, kjo falë edhe 33 pikëve të realizuara nga Stephen Curry.
 
Një Monta Ellis në superformë ndihmoi Dallas Mavericks të fitonte derbin teksan përballë San Antonio Spurs.