Botë

Këshilli i Sigurimit të OKB-së, shtyhet votimi i rezolutës për Gazën

22.12.2023 17:35

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtyu përsëri votimin për një projekt-rezolutë...

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtyu përsëri votimin për një projekt-rezolutë për luftën mes Izraelit dhe Hamasit, këtë herë me shpresën se Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë kundërshtuar një sërë propozimesh gjatë hartimit të dokumentit, kanë lënë të kuptohet se mund ta mbështesin atë në formën aktuale.
 
“Dua t`ju them se kemi punuar shumë dhe me zell gjatë javës së kaluar me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Egjiptin dhe të tjerë për të dalë me një rezolutë të cilën ne mund ta mbështesim. Dhe e kemi atë zgjidhje tani. Jemi gati ta votojmë.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-së në OKB, Linda Tomas-Grinfild.
 
Sipas grupit të rezistencës, Hamas, shtyrja e votimit të rezolutës nga ana e ShBA-së i jep kohë Izraelit për të vrarë sa më shumë njerëz.
 
"Ndërsa Këshilli i Sigurimit i OKB-së shtyu votimin për një rezolutë që kërkon përfundimin e menjëhershëm të agresionit izraelit, mbajnë përgjegjësinë administrata amerikane për shtyrjen e seancës së votimit, e cila synon t’i japë kohë entitetit fashist izraelit, për të vrarë më shumë nga njerëzit tanë në Gaza.”, - theksoi udhëheqësi i lartë i Hamasit, Ghazi Hamad.
 
Ndryshimi në tekstin e rezolutës bën thirrje për “hapa urgjente për të lejuar menjëherë qasjen humanitare të sigurt dhe pa pengesa, pasi Gaza po përballet me krizë urie dhe një numër i lartë njerëzish vdesin, jo vetëm nga bombardimet, por edhe nga mungesa e ushqimit.
 
“Sipas një analize të sigurisë ushqimore të lëshuar sot, më shumë se gjysmë milioni njerëz po përballen me kushtet katastrofike të urisë në Gaza. Programi Botëror i Ushqimit paralajmëron se këto nivele të pasigurisë akute ushqimore janë të paprecedentë në historinë e fundit dhe se në Gaza rrezikohet jeta e të gjithë njerëzve.”, - u shpreh zëdhënësi i OKB-së, Stefane Dujarriq.
 
Projekt-rezoluta që është ndryshuar në disa drejtime kyçe për të siguruar kompromis, kërkon nga të gjitha palët që “të lejojnë dhe lehtësojnë përdorimin e të gjitha rrugëve për në të gjithë Rripin e Gazës, përfshirë kalimet kufitare, për ndihmën humanitare.”.
 
FARIJE DAUTI BAKIJU