Maqedoni

Prokuroria Themelore Publike - Shkup pranoi autopsinë për Vanjën dhe Zhezovskin

22.12.2023 18:14

Prokuroria Themelore Publike njofton se ka pranuar autopsinë për Vanja Gjorçevskën dhe Pançe Zhezovskin...

Prokuroria Themelore Publike njofton se ka pranuar autopsinë për Vanja Gjorçevskën dhe Pançe Zhezovskin, të cilët më 3 dhjetor u gjetën të vdekur në rrethinën e Shkupit dhe Velesit.
 
Bëhet fjalë për rezultatet që janë pjesë të hetimeve që Prokurorisë Themelore Publike-Shkup është duke e zhvilluar kundër Ljupço Palevski- Pallço, të dyshuarit të parë për vrasjen e 14-vjeçares nga Shkupi dhe 74-vjeçarit nga Velesi, i cili gjendet në paraburgim në Turqi dhe pritet ekstradimi i tij, si dhe kundër 5 të dyshuarve të tjerë.
 
Hetimet për vrasjen e dyfishtë nisën në fillim të këtij muaji dhe krahas Palevskit që dyshohet për veprat “rrëmbim” dhe “vrasje makabre”, si bashkë ekzekutorë ngarkohen edhe Velibor Manev, Vlatko Keshishov dhe Bore Videvski, që janë në paraburgim në Shkup.
 
Në paraburgim është edhe babai i Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, i cili dyshohet se ka ndihmuar rrëmbimin e saj, por edhe Stefan Dimkovski, i cili e kishte dërguar Palevskin nga Serbia në Turqi. 14-vjeçarja, Vanja dhe 74-vjeçari, Pançe Zhezhovski, që ishin denoncuar të zhdukur më 27 dhe 24 nëntor u gjetën të vdekur në afërsi të Velesit dhe Shkupit më 3 dhjetor.