Republika Çeke e pikëlluar, ditë zie pas masakrës në qendër të Pragës

23.12.2023 14:45

Flamujt janë ngritur në gjysmështizë...

Flamujt janë ngritur në gjysmështizë, këmbanat e kishave përshkojnë atmosferën e rëndë të Pragës. Një ditë zie kombëtare në Republikën Çeke.

Tronditja dhe mosbesimi u kthyen në dhimbje dhe pikëllim të thellë për viktimat pas krimit të paprecedentë që ndodhi në zemër të qytetit historik.

Në qendër të Pragës, para Universitetit të Charles, janë mbledhur politikanë, studentë, miq të të vdekurve, me lot në sy, duke ndezur qirinj, duke lënë lule dhe duke bërë nderime.

“Në incident u qëllua shoku ynë, familjarëve u shpreh ngushëllimet e mia. Jam vërtet shumë i trishtuar''.

“Unë jam student në këtë universitet. Ju nuk mund të mos ngushëlloni gjithë këtë. Ndonëse nuk kam asnjë shok që u lëndua nga incidenti, e ngushëlloj gjithë situatën. Trishtimi tek njerëzit është mjaft i dukshëm, por duhet të përpiqemi ta kapërcejmë të gjithë këtë” – tha Jakob Voshak.

Policia hodhi poshtë mundësinë që sulmi të kishte lidhje me terrorizmin ndërkombëtar, por hetoi intensivisht arsyet e aktit të urryer të studentit 24-vjeçar David K., i cili vrau 14 persona, plagosi 25 dhe më pas kreu vetëvrasje.

Është e sigurtë se sulmuesi kishte një arsenal të madh armësh, të cilat i posedonte ligjërisht. Disa psikologë çekë besojnë se vendi i tyre është ende një nga më të sigurtit dhe të shtënat masive në Pragë janë një incident i izoluar.

“Besoj se jemi ende një nga vendet më të sigurta sepse siç e dini ky është një rast i izoluar. Ndryshe nga ajo që po ndodh në Evropë, nuk bëhet fjalë për ekstremistët, por për një individ të izoluar. Fillimisht mund të jetojmë në mosbesim dhe të pyesim veten se çfarë ka ndodhur dhe kjo është mirë sepse do të na bëjë më të kujdesshëm”. – u shpreh psikologu, Tomas Rektori.

Pas vrasjes masive, policia forcoi masat e sigurisë në metropolin çek, të cilat do të zgjasin të paktën deri më 1 janar 2024.

Një numër i madh oficerësh policie janë vendosur rreth Universitetit Charles dhe në qendër të qytetit. Dje në sheshin e Pragës policia arrestoi një person të dyshuar se mbante një bombë.