Këshilli i Sigurimit miratoi rezolutën për ndihma në Rripin e Gazës

23.12.2023 16:25

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara...

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi tekstin e rezolutës për Rripin e Gazës, e cila kërkon përshpejtimin e menjëhershëm të shpërndarjes së ndihmave për civilët në enklavën palestineze.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se pengesa për dorëzimin është ofensiva izraelite.

“Problemi i vërtetë është mënyra se si Izraeli po e kryen këtë ofensivë. Ajo krijon pengesa të mëdha për shpërndarjen e ndihmave humanitare në Gazë. Një operacion efektiv ndihme në Gazë kërkon sigurinë e personelit, kapacitetin logjistik dhe aktivitetin e vazhdueshëm tregtar. Këto elemente nuk ekzistojnë” – tha Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres.

Hamasi deklaroi se rezoluta ishte një hap i pamjaftueshëm, pasi nuk do të siguronte sasi të mjaftueshme të ndihmave.

Ata gjithashtu konfirmuan se nuk do të ketë lirim të mëtejshëm të pengjeve derisa Izraeli të bie dakord për një ndërprerje të plotë të agresionit.

“Njerëzit po vdesin nga uria. Nuk kanë ujë, ushqim, ilaçe. Projekt-rezoluta e miratuar nga Këshilli synon të ndihmojë në zgjidhjen e kësaj situate çnjerëzore, për të lehtësuar vuajtjet dhe dhimbjen mes miliona civilëve”. – tha Riyad Mansour, përfaqësues i përhershëm i Palestinës në OKB.

"Nëse ky Këshill dëshiron t'i japë fund armiqësive, duhet të fillojë duke mbështetur misionin e Izraelit për të kthyer pengjet dhe për të eliminuar kërcënimin nga Hamasi". Së paku, ai duhet të parandalojë forcimin e Hamasit. "Ashtu si ky Këshill është i përkushtuar për rritjen e ndihmës, ai gjithashtu duhet të angazhohet për të bllokuar kontrabandën e armëve dhe transferimin e armëve për terroristët,". – theksoi Brett Jonathan Miller, zv.përfaqësues i përhershëm i Izraelit në Kombet e Bashkuara.  

Në front, sulmet vazhdojnë, numri i viktimave civile po rritet. Armëpushimi i mëparshëm njëjavor solli një rritje të fluksit të ndihmave në Gazë. Negociatat për një armëpushim të ri janë duke u zhvilluar në Kajro, Egjipt, megjithëse bisedimet fillestare të mërkurën dështuan për të arritur një marrëveshje. (Gazmend Rexhepi, TVM2)